Ymeri: Kosova me Plan të Ahtisarit e Pa Sovranitet

Homazhet u bënë te pllaka përkujtimore për Mon Balajn dhe Arben Xheladinin dy të vrarët e protestës së 10 shkurtit të para nëntë vjetëve në qendër të Prishtinës.

Lideri i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Visar Ymeri këtë protestëm e kujtoi si revoltë ndaj ndarjes etnike të Kosovës.

“Para nëntë vjetëve ishim mbledhur këtu në këtë shesh, bashkë me qytetarët e Republikës së Kosovës për ta kundërshtuar një projekt i cili që atëherë filloi ta ngjizë farën e ndarjes etnike te Kosovës dhe farën e pamundësimit të sovranizimit të Republikës së Kosovës,” tha Ymeri.

Ymeri akuzoi partitë në pushtet për lejimin e përfshirjes së Serbisë në vendimmarrje shtetërore të  Republikës së Kosovës, ndërsa foli edhe për pengesat që po shkakton Plani i Ahtisarit si pjesë e kushtetutës.

“Sot jemi në një Kosovë ku Plani i Ahtisarit është zbatuar dhe sot jemi në një Republikë të Kosovës ku po kuptohet çdo ditë e më shumë që Plani i Ahtisarit bashkë me negociatat e reja në Bruksel po e pamundësojnë këtë Republikë të Kosovës, këtë Republikë në të cilën prapë e kemi një pushtet i cili po insiston që vendimet të merren bashkë me Serbinë, në mënyrë që Serbisë t’i krijohet hapësirë politike dhe institucionale brenda Republikës së Kosovës,” tha lideri i Vetëvendosjes.

Lëvizja Vetëvendosje shfaqi në kinemanë ABC edhe një dokumentar të përgatitur nga aktivistët e saj rreth ngjarjeve të 10 shkurtit, ndërsa përfaqësues të këtij subjekti politik vizituan edhe familjet e dy të vrarëve të këtyre ngjarjeve.

Mon Balaj e Arben Xheladini u vranë më 10 shkurt 2007 në protestën kundër Planit të Ahtisarit dhe negociatave të atëhershme për përcaktimin e statusit të Kosovës.