Xheladin Osmani Tërhiqet nga Lënda e Granit Paçarizit

Të martën në Gjykatën Themelore të Prizrenit ishte planifikuar të mbahej seanca gjyqësore ndaj Granit Paçarizit që akuzohet për kryerje të vrasjes së rëndë të mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje.

Mirëpo sapo u paraqit në sallë të gjykimit, kryetari i trupit gjykues Xheladin Osmani njoftoi palët se do të tërhiqet nga kjo lëndë pasi Granit Paçarizi po hetohet për kanosje edhe ndaj gjyqtarit Osmani.

“Si të dëmtuar në këtë fillim të hetimeve figurojnë ish-prokurori Bajram Hamitaga dhe gjyqtari Xheladin Osmani. Duke pasur parasysh situatën në të cilën ndodhet kryetari i trupit gjykues, seanca nuk mund të vazhdojë, shqyrtimi gjyqësor ndërpritet dhe lënda penale do t’ i dërgohet kryetarit të Gjykatës Themelore në Prizren për vendosje të mëtejme,” tha gjykatësi Osmani.

Ky shpjegim i gjyqtarit shkaktoi reagimin e të akuzuarit Paçarizi.

“Gjyqtar unë du skjarim qeto që e lexove me më informu çka është ka bëhet se… këtu është ka luhet një lojë prej anës tënde po s’ jam tu e kuptu. Gjyqtar, unë kam bo kërkesë që ti me u largu nga kjo seancë po s’ je largu, tash ke me nejt deri në fund, unë kësaj do t’ i shkoj deri në fund se nuk e kuptova as çka u bo as çka u lexu deri tash. Nuk jemi shtet komunist tash është ligji,” tha Paçarizi.

KALLXO.com mëson se hetimet ndaj Paçarizit për kanosje të prokurorit të suspenduar Bajram Hamitaga dhe gjyqtarit Xheladin Osmani nisën pasi një dëshmitar deklaroi në prokurori se Granit Paçarizi i kishte thënë “do t’ia vras djalin prokurorit Bajram Hamitaga dhe gjykatësit Xheladin Osmani”.

Në procesin gjyqësor, seanca e të cilit nuk u mbajt sot për tërheqje të gjyqtarit, Granit Paçarizi akuzohet se më 6 korrik 2013 rreth orës 17:00 në Prizren para lokalit- pastiçerisë “Jupa” me dashje ka tentuar t’ i privojë nga jeta personat Egzon Krasniqi dhe Hamit Alemdar nga Prizreni për shkak të mosmarrëveshjeve që kishin ndodhur ditë më parë me djalin e vëllait të tij Ideal Paçarizin.

Sipas aktakuzës, ditën e 6 korrikut 2013 të dëmtuarit pasi zbritën nga vetura filluan sulmin me mjete të forta ndaj Xhevat Dulakut dhe Granit Paçarizit që ishin ulur në një tavolinë para lokalit “Jupa”.

Atëherë, siç thuhet në aktakuzë, Paçarizi nxori pistoletën e tipit “Crvena Zastava” dhe qëlloi në drejtim të të dëmtuarve duke u shkaktuar atyre lëndime të rënda.

Granit Paçarizi i kishte thënë “Drejtësisë në Kosovë” në maj të këtij viti se në seancën  gjykimit të tij i kishte thënë gjyqtarit Osmani që prokurori Hamitaga ia ka kërkuar 5 mijë euro.

Prokurori Hamitaga Dyshohet se Kërkoi Ryshfet nga i Akuzuari

“Drejtësia në Kosovë” shfaqi dy emisione rreth dyshimeve për korrupsion të prokurorit Bajram Hamitaga dhe shoferit të prokurorisë Luan Delili.

http://kallxo.com/drejtesia-ne-kosove-korrupsioni-filmuar-ne-prokurorine-e-prizrenit/

http://kallxo.com/negociatat-e-korrupsionit-ne-prizren-video/

Pas emisionit, prokurori Hamitaga u suspendua nga puna, ndërsa shoferi Luan Delili u shkarkua. Ndaj tyre është ngritur aktakuzë nga Departamenti i Krimeve të Rënda të Prokurorisë Themelore të Gjilanit.

http://kallxo.com/konfirmohet-aktakuza-ndaj-prokurorit-te-kositeses-dhe-cadres/