Xhaxhai Dyshohet se Vrau Aksidentalisht Nipin me Pistoletë

Në fshatin Mushtisht të Suharekës, sot rreth orës 14 është vrarë aksidentalisht nga e shtëna e armës një djalosh 14 vjeçar.

Këtë e kanë bërë të ditur për media Policia e Suharekës.

Sipas Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur në një aheng familjar, ku i dyshuari, në këtë rast xhaxhai i viktimës duke tentuar ta zhbllokojë pistoletën ka plagosur veten e pastaj edhe nipin e tij, i cili s’ka arritur t’u mbijetojë plagëve dhe ka vdekur.

“Duke u perpjekur për ta zhbllokuar armën vetëplagoset i dyshuari, e me pas plumbi e godet edhe nipin e tij të vitlindjes 2004. Viktima ishte sjellë në Emergjencën e Spitalit Rajonal në Prizren për trajtim, por nuk kishte mundur të mbijetojë”, thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës.

Tutje në komunikatë, Policia konfirmon se është arrestuar xhaxhai i viktimës dhe së në automjetin e tij është sekuestruar një pistoletë më të cilën dyshohet se është vrarë 14 vjeçari.

Përveç pistoletës, në vendin e ngjarjes policia ka gjetur dhe ka sekuestruar edhe një kallashnikov e disa gëzhoja.