Jeta Xharra dhe Dajana Berisha, Foto: KOSID/Facebook
Xharra e Berisha fituese të çmimit 'Për të mirën'
Jeta Xharra dhe Dajana Berisha, dy nga themelueset e Konsorciumit të Shoqërisë Civile të Kosovës për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID) morën çmimin “Për të mirën”.
Ky çmim u dha për kontributin e dhënë për zhvillim të qëndrueshëm dhe të gjelbërt në Kosovë me punën e KOSID-it si dhe luftën kundër ndërtimit të termocentralit “Kosova e Re” dhe fitoren e arritur me qytetarët e Obiliqit që e fituan rastin, me padinë e përgatitur nga KOSID, për zhvendosje të padrejtë kundër Bankës Botërore.
“Disa ditë pasi u dhurua ky çmim, ra qeveria që s’ka dit ma mirë se me nënshkru ndërtimin e termocentralit të tretë me qymyr. Edhe një arsye që na bën të pandalshme në betejat tona kundër qymyrit”, thuhet në njoftimin për marrjen e çmimit.
Ato kanë falënderuar të gjithë bashkëpunëtorët që kanë merita për këto fitore të deritashme, duke përfshirë, Haki Abazin, Ragip Grajqevcin dhe mbi 100 anëtarëve të ri të KOSID që janë bashkangjitur muajve të fundit dhe të cilët zhvillojnë beteja për ambient të pastër anembanë Kosovës.
KOSID vazhdimisht ka avokuar kundër ndërtimit të termocentralit “Kosova e Re” te Banka Botërore që mos të financojë ndërtimin e këtij termocentrali.
Pas tërheqjes së Bankës Botërore, KOSID ka vazhduar të avokojë edhe te Korporata e Investimeve Jashtë Shtetit e ShBA-së, OPIC, për mos financim të këtij termocentrali.
KOSID ka dërguar dy letra në adresë të OPIC-ut. Në letrën e parë dërguar tek OPIC, KOSID i ka listuar të gjitha shkeljet e ligjeve të Kosovës dhe BE-së që janë bërë dhe pritet të bëhen në rast se jetësohet termocentrali Kosova e Re.
Qeveria e Kosovës dhe Contour Global janë në kërkim të alternativave për financimit e ndërtimit të termocentralit Kosova e Re, pas tërheqjes së Bankës Botërore nga ky projekt me arsyetimin se “termocentralin nuk është alternative më e lirë” për sigurimin e energjisë elektrike në Kosovë. Një prej alternativave për financim që është përmendur nga qeveria e Kosovës është edhe OPIC.
Por, KOSID në letrën e dytë thekson se mbështetja për termocentralin e qymyrit “Kosova e Re” do të ishte në kundërshtim me politikat OPIC-ut dhe DFC-së, të cilat nuk e favorizojnë thëngjillin dhe inkurajojnë mbështetjen e energjisë së ripërtritshme.
“Banka Botërore vendosi në mënyrë specifike të mos financojë termocentralin e qymyrit, për shkak të disponueshmërisë së alternativave të reja të ripërtëritshme që do të mund të zbatoheshin për këtë projekt. Financimi i një termocentrali të ri qymyri, pa vlerësimin fillestar të alternativave të ripërtritshme, do të ishte në kundërshtim me preferencën e hapur të Kongresit Amerikan për projektet e rinovueshme”, thuhet në letër.