Xhafer Tahiri prezanton 'Llamkosin' në Gjermani

Kryetari i Komunës së Vushtrrisë është takuar gjatë ditës së djeshme me Arndt G. Kirchhoff, President i Industrisë së Metalit në Republikën e NRW, në Gjermani.

Sipas njoftimit, tema kryesore e këtij takimi ishte njoftimi për mundësinë që të investohet në ish ‘Llamkos’ në Vushtrri, duke e rifunksionalizuar apo riorganizuar këtë gjigant ekonomik.

Në këtë takim, Tahiri ka njoftuar Kirchhoff për mundësitë për investime në Kosovë e konkretisht edhe në Vushtrri, duke thënë se duhet të konsiderojë Vushtrrinë dhe ish-Fabrikën ‘Llamkos’ vend për investime nga Kirchhoff Group në të ardhmen.

Gjatë vizitës së tij, Tahiri ka vizituar fabrikën e Kirchhoff Group në Attendor, në Gjermani, ku prodhohen pjesë të automobilave për të gjitha brendet botërore duke parë të gjithë procesin e punës në fabrikë.

Komuna ka njoftuar se Kirchhoff ka shprehur interesim që të vizitojë Kosovën në të ardhmen ku babai i tij, Jochen Kirchhoff, President aktual i Kirchhoff Group ka qenë inxhinier kryesor gjatë ndërtimit të termocentralit Kosova A.