Xhafer Tahiri | Foto: Facebook

Xhafer Tahiri komenton përleshjen në Kuvendin Zgjedhor të LDK-së në Vushtrri

Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri përmes një postimi në Facebook është deklaruar në lidhje me përfshirjen e tij në një incident i cili ka ndodhur mbrëmë gjatë procesit zgjedhor në degën e LDK-së në Vushtrri.

Tahiri ka mohuar se është përfshirë në këtë incident duke thënë se këto janë lajme të rrejshme që nuk kanë të bëjnë me realitetin dhe mund të quhen tendencioze.

“Në nëndegën prej nga e kam bazën deleguese ende nuk janë mbajtur zgjedhjet, rrjedhimisht unë ende nuk jam delegat i Kuvendit të Degës dhe sipas Statutit të LDK, kandidatura për kryetar të degës shpallet në Kuvendin e Degës pasi të jetë marrë mandati nga baza deleguese. Unë e respektojë në plotni Statutin dhe rregullat zgjedhore të LDK-së. Organizimi dhe mbarëvajtja e procesit zgjedhor sipas Statutit të LDK është përgjegjësi e Kryetarit dhe Kryesisë së Degës”, ka shkruar Tahiri.

Ai tutje ka bërë apel tek të gjithë anëtarët e LDK-së që në procesin zgjedhor të respektohet Statuti dhe Rregullorja zgjedhore e LDK-së.

“LDK është shtëpia jonë, besë e shpresë për qytetarët e Kosovës dhe amanet i Presidentit Rugova andaj procesi zgjedhor duhet të kaloj në frymën e solidaritetit dhe në frymën e bashkëpunimit që LDK e ka kultivuar për tri dekada”, ka shtuar Tahiri.

“Asgjë nuk duan më shumë kundërshtarët tanë politik se një LDK të përqarë e të dobësuar e humbëse në Vushtrri, e në gjithë Kosovën, e ju sigurojë që unë dhe bashkëpunëtorët e mi, me të gjitha kapacitete e tona, si deri më tani, do të punojmë që LDK të jetë e bashkuar dhe përherë fituese këtu në Vushtrri dhe në tërë Kosovën, pavarësisht pozicionit brenda subjektit tone politik”,  ka përfunduar Tahiri.

KALLXO.com merr vesh se në lidhje me përleshjen e cila ka ndodhur në fshatin Maxhunaj në Vushtrri, është hapur edhe një rast në polici.

Policia ka njoftuar se dje rreth orës 21:00, pas mospajtimeve, një person ka raportuar në polici se tre meshkuj dhe një femër e kanë sulmuar fizikisht viktimën, duke i shkaktuar lëndime trupore.

Sipas policisë, viktima e këtij rasti ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa rasti duke u hetuar nga njësitë policore.

Gjatë procesit zgjedhor të brendshëm të LDK-së janë raportuar disa raste të përleshjeve.

https://kallxo.com/perleshje-fizike-ne-degen-kryesore-te-ldk-se-ne-mitrovice/