Arkiv - Xhabir Zharku

Xhabir Zharku u përgjigjet ambasadorit britanik dhe ministrit të Drejtësisë

Ish-kryetari i Komunës së Kaçanikut, Xhabir Zharku, i cili i iku vuajtjes së dënimit me burg të shqiptuar nga gjyqësori i Kosovës, ka reaguar pas komenteve të ambasadorit britanik, Ruairi O’Connell dhe ministrit të Drejtësisë, Abelard Tahiri, lidhur me rastin e tij.

Gjatë ditës së sotme, ministri Tahiri e quajti “Turpi i Kosovës” Xhabir Zharkun.

Në konferencën e organizuar nga BIRN dhe INTERNEWS KOSOVA, ku po diskutohej për raportin e monitorimit të gjykatave, Abelard Tahiri tha se bashkohet me vlerësimin e ambasadorit britanik në Kosovë, Ruairi O’Connell rreth ish- kryetarit të Kaçanikut, Xhabir Zharku.

Ndërsa, ditë më parë, ambasadori britanik në Kosovë, Ruairi O’Connell, e ka quajtur të turpshëm kthimin e Zharkut si njeri të lirë në Kosovë.

Zharku ishte kthyer nga Suedia ku kishte qëndruar derisa iu parashkrua vepra penale, për çka ishte dënuar me burg nga gjykatat kosovare.

https://kallxo.com/oconnell-kthimi-i-zharkut-si-njeri-i-lire-eshte-i-turpshem/

Ndërsa, sonte, Xhabir Zharku i është përgjigjur këtyre komenteve të ambasadorit britanik dhe ministrit të Drejtësisë.

Ai ka thënë se reagimet e O’Connell dhe të Tahirit janë dëshmi se Kosova po shkon drejt diferencimeve ideopolitike, si të atyre të viteve 90-ta.

Zharku i ka kujtuar ambasadorit se është pikërisht Britania e Madhe vendi ku buroi e drejta demokratike e parashkrimit të veprës penale.

Ky është reagimi i plotë i Zharkut, të cilin e ka bërë në profilin e tij në “Facebook”:

“Reagimet e Ministrit Tahiri dhe ambasadorit O’Conell, edhe një dëshmi se Kosova po shkon drejtë diferencimeve ideopolitike si të atyre të viteve 90-ta.

Ministri Abelard ( Idriz ) Tahiri, sot paska marrë një detyre që të vlersoj se cka është turp e cka jo.

Shfrytzoj nga rasti të rikujtoj ambasadorin O’Conell se, është Britania e Madhe pikrisht vendi ku buroj e drejta demokrtatike për parashkrimin e vepres penale, dhe të pyes se mos don ai shëndroj Kosovën në Anarki. Poashtu dua ta pyes Ambasadorin se pse nuk e përmend edhe rastin e Leme Xhemës ish drejtoresh e PTK-së. Unë dua të besoj fort se ambasadori e din se unë nuk kam pasur fuqi të ndikoj për mos ndryshimin e ligjit për parashkrim të veprës penale, siq ai po deshiron.

Se keto jane diferencime ideopolitike si të viteve 90-ta, ministri mund ta kishte degjuar nga babai i tij ( Idrizi ), ngase besoj që ai ka ditur më së miri me ja sqaru.

Nuk dua të rivalizoj me këtë rast, por dua të pyes ministrin se deri ku kan arritur hetimet për zbulimin e rasteve ” Sulmi në Kuvendin e Kosovës, me raketahedhës” , atë të “vënies së bombës në RTK” si dhe sulmin në shtëpin e drejtorit të përgjithshëm të RTK-së. Në atë kohe ministri publikisht deklaroj se kush është kreu i këtyre organizimeve, ku u cenua siguiria kombëtare, por të njetit janë të lirë.

Do të pysja ministrin, a është turp nëse ju keni dhënë deklarata të rrejshme, gjë që është e dënuar me kodin penal të Kosovës, ose atë se pse z.Molliqaj është i lire dhe “mund të përsërit vepra të tilla”.

E ftoj ministrin publikisht që nëse ai e do Kosovën dhe drejtësin e saj të merret me rastin e montimit ku jam dënuar me porosi dhe këtë rast të dërgoj deri në fund.

Edhe njëher dua të siguroj qytetarët e RKS-së, se jam privuar nga e drejta për të jetuar në Kosovë, për 6 vite vetëm e vetëm se denimi ka qenë politik dhe i organizuar aq mir po dhe i sinkronizuar me zingjirin e drejtësis nga shkalla e parë deri tek supremja.

Po te kisha dy jetë, një do e kisha jetuar për të kënaqur të apostrofuarit dhe një për drejtësi.

Me konsideratë të lartë

Xhabir Zharku”