FOTO ARKIV: Xhabir Zharku

Xhabir Zharku flet për arratinë dhe kthimin në Kosovë

Një ditë pasi është kthyer në Kosovë, ish kryetari i komunës së Kaçanikut, Xhabir Zharku, ka insistuar se është i pafajshëm, pavarësisht se gjykata i kishte dhënë një dënim të plotfuqishëm me 3 vjet burg të cilin nuk e ka vuajtur asnjëherë.

Në një intervistë për RTK, Zharku tha se ka arritur deri te argumentet që, sipas tij, e dëshmojnë pafajësinë e tij.

Këtë ai tha se ia kishte thënë edhe ish-ministrit të Brendshëm, tashmë të ndjerë, Bajram Rexhepi ,ndërsa tha se nuk kishte mundur ta kontaktonte ish ministrin e Drejtësisë, Hajredin Kuçi.

“Jam larguar pasi që e kam parë që në Kosovë më janë mbyllur të gjitha dyert. E kam ndier veten shumë të pafajshëm”, tha Zharku.

Ai tha se e ka kaluar kufirin në mënyrë legale.

“Nëse nuk je në kërkim, asnjë polic nuk ka të drejtë të të pyes ku po shkon. Jam larguar si qytetar i lirë. Jam larguar nga Aeroporti i Shkupit, krejt legalisht”, shtoi ai.

“Nuk jam larguar për shkak se nuk kam dashur ta mbaj dënimin, jam larguar për shkak të padrejtësisë që më është bërë”, tha ai

Ish- kryetari i Kaçanikut, Zhabir Zharku, ishte gjetur fajtor për veprat penale të detyrimit dhe armëmbajtjes pa leje dhe ishte dënuar me 3 vjet burg por ai nuk e ka mbajtur dënimin meqë është arratisur në Suedi.

https://kallxo.com/nasim-haradinaj-paralajmeron-kthimin-e-xhabir-zharkut-ne-kosove/

Muajin e kaluar, Zharkut i është parashkruar dënimi me burg dhe tani ai është i lirë të vijë në Kosovë.

“Të gjithë kanë thënë që misioni i UNMIK-ut dhe EULEX-it janë misione të dështuara. Pse u dashka që unë të vij e t’i përgjigjem një misioni të dështuar e të korruptuar”, tha ai.