Alan Watson | Foto: UP

Watson: Britania e Madhe nuk po Largohet nga Europa

Lordi Alan Watson nga Richmondi i Anglisë ka mbajtur ligjëratën me titull “Çka do të thotë Brexit-i?” para studentëve e profesorëve të Universitetit të  Prishtinës.

Watson në këtë ligjëratë tha se largimi i Britanisë së Madhe nga BE-ja është keqkuptuar.

“Disa njerëz mendojnë që ne po largohemi nga Europa, ne nuk po largohemi nga Europa gjeografikisht, ne po largohemi nga institucionet e BE-së”, tha Lord Alan Watson.

Ai më tutje shpjegoi se çfarë do të ndodhë pas daljes së Britanisë nga BE-ja.

“Unë besoj që do të jetë më e efektshme të adresojmë problemet reale me të cilat njerëzit ballafaqohen, si problemet e emigrimit”, shtoi Watson.

Kur është mbajtur referendumi në Britaninë e Madhe për daljen nga Bashkimi Europian Watson tha se ka votuar që Britania e Madhe të mbetet në BE.

“Unë nuk isha vetëm, 49 për qind e popullsisë votuan që të mbeten në BE”, tha Watson.

Ai tha se universitetet në Britani luajnë rol kyç në edukimin europian dhe Universiteti i Cambridge-it në disa mënyra është i mirënjohur.

Lordi Watson foli edhe për zgjedhjet në Francë për të cilat tha se po pret të shohë se çfarë do të ndodhë të dielën e ardhshme.

“Sinqerisht, unë shpresoj që Macron të fitojë, nëse kandidatja tjetër fiton, çdo gjë mund të ndodhë”. përfundoi Watson.

Ai tha se kjo është vizita e tij e parë në Kosovë por që shpreson se nuk do të jetë e fundit.

Lordi Alan Watson ka qenë dhe është i përfshirë në fushën e komunikimit, atë të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe në çështje publike.

Pas diplomimit të tij në Universitetin e Cambridge-it ai iu bashkua BBC-së e më pas u bë edhe moderator i disa emisioneve në kanalet e BBC1 dhe BBC2.

Veprimtaria e tij është shtrirë edhe në fushën e politikës ku Watson ka qenë kryetar i Partisë Liberale.

Ai është marrë edhe me shkrime, “Europa në Rrezik” ka qenë botimi i tij i parë në vitin 1972.

Në mars të vitit 2012 Watson ka publikuar veprën “Mbretëresha dhe ShBA-ja”, kurse në vitin 2016 ai shkroi “Trashëgimia e Churchill-it, Dy Fjalime për të Shpëtuar Botën”.

Lord Alan Watson është zëvendës-president i “English Speaking Union” për të cilin tha se nga pranvera e vitit të ardhshëm pjesë e saj do të jetë edhe Kosova.

Nga fundi i marsit para studentëve të Universitetit të Prishtinës ligjëroi edhe matematikani francez me famë botërore, Cedric Villani.

http://kallxo.com/matematikani-famshem-u-ligjeron-studenteve-te-se/