Washingtoni i Bllokuar nga Bora

Qyteti i Washingtonit sot është i bllokuar pas një stuhie të jashtëzakonshme të borës, e cila ka përfshirë tërë bregun lindor të Shteteve të Bashkuara dhe sidomos New Yorkun, ku kthimi i normalitetit ishte më i shpejtë.

Operacionet e heqjes së borës janë në kulmin e tyre që kur janë ndalur të reshurat, të cilat, sipas një llogaritje të bërë nga AFP, kanë rezultuar me 33 të vdekur.

Sasi rekorde e borës ka rënë në Washington. 65 cm borë ka rënë në Central Park e 56 cm në aeroportin ndërkombëtar të kryeqytetit federal. Prandaj, heqja e borës do të kërkojë disa ditë punë.

Më pak i mësuar me këto kushte dimërore se fqinji lindor – New Yorku, Washingtoni ka mbyllur shkollat dhe administratën publike, kryesisht për të lehtësuar pastrimin e rrugëve nga bora dhe për të shmangur aksidentet, raporton Agence France Presse.

“Ne do të vazhdojmë t’u kërkojmë banorëve, këmbësorëve dhe shoferëve të mos dalin në rrugë. Ndonëse rrugët janë të kalueshme, ne kemi nevojë të lirojmë parkingjet, korsit e rrugëve dhe binarët” ka thënë kryetarja e bashkisë së Washington DC, Muriel Bowser, raporton AFP.

Thirrje për vigjilencë janë bërë që nga e premtja, kur ka nisur stuhia Jonas, e cila ka derdhur deri në një metër borë në rreth dhjetë shtete.

Ekspertët vlerësojnë se stuhia ka shkaktuar dëme në vlerë prej disa miliardë dollarë, përfshirë dëmtimin e ndërtesave dhe humbjet e bizneseve si pasojë e mbylljes së tyre.

http://kallxo.com/stuhia-e-bores-ne-shba-19-te-vdekur/