VV: Vendimi i qeverisë për rritjen e njëanshme të pagave, ka nxitur mjekët për grevë

Fatmire Kollçaku, deputete e Lëvizjes Vetëvendosje, tha se greva e punëtorëve shëndetësorë po mbahet shkaku i qeverisë së papërgjegjshme e cila në mënyrë të njëanshme ka rritur pagat për vete.

Kollçaku tha se qytetarët po i vuajnë pasojat nga kjo grevë kur kanë nevojë të drejtohen në QKUK.

“Obligimi jonë si deputet të Republikës së Kosovës është që të adresojmë fajin dhe ne me bindje të plotë themi se kjo çfarë po ndodh nuk është faji i mjekëve. Është faji i kësaj qeverie të papërgjegjshme e cila menjëherë pas mandatit vendimin e parë që e morri ishte rritja e njëanshme e pagave për vete mbi 100 për qind”, tha Kollçaku.

Kollçaku shtoi se qeveria e ka sjell buxhetin e vitit 2019 pa e projektuar zbatimin e ligjit për paga.

“Është e pamundur që ligji për paga të zbatohet brenda këtij viti sepse nuk ka buxhet të paraparë për këtë ligj”, tha ajo.

Kollçaku kishte edhe një ftesë publike për Ministrin e Financave.

“Me qenë se kjo qeveri është zotu në media që në të njëjtën ditë do ta votoj edhe projektligjin për buxhet edhe projektligjin për paga ftoj në emër të qeverisë ministrin e Financave të del në seancë dhe të deklaroj se ku do t’i merr mjetet për zbatimin e ligjit për paga sepse këto mjete nuk i kanë parapa në projektligjin për buxhet”, tha Kollçkau.

Ajo vlerësoi se ky është një mashtrim që i ka nxit kirurgët mjekët që të jenë në grevë.

Dy ditë më parë LVV edhe për grevën e mësimdhënësve e fajësuan qeverinë.

Ismaj Kurteshi, kryetar i Komisionit për Arsim në Kuvendin e Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Arbërie Nagavci deputet e LVV-së thanë se fajin për grevën e ka qeveria dhe një ndër shkaktarët kryesor të grevës është projektligji për pagat.