Kryetari i VV-së, Albin Kurti dhe kryetari i LDK-së Isa Mustafa, më 13 gusht 2019, Foto: Albin Kurti Facebook

VV thotë se po diskuton me LDK-në për koalicion parazgjedhor

Lëvizja Vetëvendosje (VV) po e diskuton mundësinë për një koalicion parazgjedhor me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), në rast të shkuarjes në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare.

Kështu ka thënë në një konferencë për media, sot deputeti i VV-së, Liburn Aliu.

“Ne vazhdimisht po zhvillojmë takime me përfaqësues të Lidhjes Demokratike, me idenë që para zgjedhjeve të ketë garanci që do të ketë ndryshim të madh në këtë vend. Njëra nga mundësitë që të sigurohemi që do të ketë ndryshim të madh në këtë vend është çështja e koalicionit parazgjedhor. Këto mundësi po diskutohen dhe po shqyrtohen dhe besoj që do të ketë edhe rezultate në këtë aspekt”, iu përgjigj deputeti pyetjes së KALLXO.com.

Ndërkaq, sa i përket gatishmërisë së VV-së, që të heq dorë nga posti i kryeministrit në rast se bëhet koalicion, Aliu tha se nuk i kanë diskutuar këto çështje.

“Nuk është hyrë në detaje më tej për çështjet e pozitave dhe detajeve të tjera, por jemi në rrugë që diçka e tillë të ndodhë”, tha deputeti.

Ndërkaq, pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj, të gjitha partitë politike kanë kërkuar zgjedhje të jashtëzakonshme, përderisa seanca për shpërndarjen e Kuvendit pritet të mbahet me 22 gusht 2019.