Xhelal Sveçla dhe Albulena Haxhiu, Foto: VV

VV: Thaçi, Haradinaj e Pacolli duhet të japin dorëheqje

Lëvizja Vetëvendosje e ka quajtur dështim të Qeverisë së Kosovës mosanëtarësimin në Interpol.

Për këtë rast VV kërkoi edhe dorëheqjen e presidentit Thaçi, kryeministrit Haradinaj dhe ministrit të Jashtëm Behgjet Pacolli.

Në një konferencë për media, deputeti i VV-së, Xhelal Sveçla, foli për luftën e madhe të Serbisë për të penguar anëtarësimin e Kosovës në Interpol, dhe “aventurën” e presidentit Thaçi për të vrapuar drejt pazareve me Serbinë.

“Hipokrizia qëndron në faktin e takimeve Thaçi-Vuçiq. Hashim Thaçi pavarësisht situatës në terren vazhdon të vrapojë pas pazareve me Serbinë e cila si asnjëherë më parë pas shpalljes së pavarësisë po e lufton shtetësinë dhe subjektivitetin e vendit”, tha Sveçla.

Ai shtoi se ‘hapi i parë që dëshmon se palët janë të interesuara për një marrëveshje finale është pushimi i “luftës” në terren’.

“Si është e mundur që shteti i Kosovës të përballet me këso vështirësish në terren a presidenti Thaçi të shkojë e të takohet pa asnjë kusht për Serbinë. Ky president po anashkalon çdo interes të vendit vetëm që personalisht të shpëtojë. Ai e ka zgjedhur rrugën e tij, por nuk duhet dhe nuk guxon ta marrë edhe Kosovën me vete. Ky njeri është zhvendosur kah pala serbe”, shtoi Sveçla.

Deputetja, Albulena Haxhiu tha se presidenti Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj dhe ministri i Jashtëm Behgjet Pacolli kanë shkaktuar një konfuzion, me dobësinë e treguar karshi Serbisë ndaj shteteve që tashmë e kanë njohur Republikën e Kosovës.

“Pazaret territoriale të Thaçit me Vuçiqin që kulmuan te takimi me Putinin, kanë shkaktuar konfuzion te shumë shtete që na e kanë njohur pavarësinë. Në këtë vit ka ndodhur një vetëkontestim i shtetësisë dhe pavarësisë sonë nëpërmjet aventurave absurde të presidentit të Kosovës. Gjithnjë e më pak të tjerët po na marrin seriozisht. Sepse, presidenti i vendit nuk po e merr shtetin tonë seriozisht”, tha Haxhiu.

Ajo shtoi se Thaçi, Haradinaj e Pacolli, janë treguar të butë dhe të dobët karshi Serbisë, ndërsa në anën tjetër kanë dobësuar pozitën e Kosovës.

“Kuvendi i Republikës dhe Qeveria e Kosovës duhet që menjëherë t’ia marrin mandatin e Thaçit në aventurën e tij personale me Serbinë pa autorizim, pa legjitimitet dhe pa kompetence, po ashtu Republika e Kosovës duhet menjëherë të vendos reciprocitet të plotë politik, ekonomik dhe tregtar me Serbinë”, ka thënë Haxhiu.

Gjithashtu gjatë konferencës u përmend edhe iniciativa e Lëvizjes Vetëvendosje, më 25 tetor 2018, e cila u miratua në parim Projekt-Ligji për gjykimin në mungesë të krimeve të luftës me 61 vota për, 19 kundër dhe 7 abstenime.

“Kjo ishte fitore e jashtëzakonshme për drejtësinë në Kosovë. Mirëpo, tash drejtësia në Kosovë u sulmua nga dështimi në Dubai. Pra, pasojat nuk janë vetëm në fushën e sigurisë por edhe të drejtësisë, jo vetëm për drejtësinë në paqe por edhe për drejtësinë për krimet e luftës. E vetmja mënyrë si mund ta ndihmojnë ata Kosovën është duke dhënë dorëheqje. Shumica dërrmuese e qytetarëve të vendit tonë, për të mos thënë të gjithë, do të gëzoheshin sonte, sikur në lajmet e mbrëmjes të dëgjonin se Thaçi, Pacolli dhe Haradinaj kanë dhënë dorëheqje”, thuhet në funt të njoftimit të LVV-së.