Foto: VV

VV: Procesi i rekrutimit të noterëve të rinj është i komprometuar

Lëvizja Vetëvendosje ka adresuar kritika ndaj ministrit të Drejtësisë, Abelard Tahiri për procesin e rekrutimit të noterëve, duke thënë se i tërë procesi është komprometuar, pasi sipas tyre qëllimi kryesor i ministrit ka qenë dhënia e licencës militantëve partiak dhe të afërmeve të zyrtarëve të PDK-së për të vazhduar kapjen e shtetit.

Deputetja e VV-së, Albulena Haxhiu përmes një konference për media kërkoi që ky proces të ndalohet. Siç konsideron ajo, këta noterë të rinj do t’i përdorin për punët e pista që do iu duhet më vonë ministrit Tahiri dhe partisë së tij.

Ndërkaq, deputetja tjetër e VV-së, Fitore Pacolli duke përmendur shënjestrimin e rasteve të BE-së karshi Kosovës për liberalizim të vizave, tha se strukturat e pushtetit në vijimësi  po kujdesen që mos të shenjëstrojnë rastet e profilit të lartë.

Pikërisht për këtë çështje në fillim të kësaj jave ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri ka munguar në Komisionin për Legjislacion ku është diskutuar për këtë çështje.