VV-Pleh dhe Baltë për KEDS-in

Valdrin Ahmeti, njëri ndër aktivistët tha se që nga privatizimi i distribucionit të KEK-ut janë dëgjuar vetëm lajme të këqija rreth energjisë elektrike.

Sipas Ahmetit shtrenjtimi i shumëhershëm i rrymës ka dëmtuar financat familjare dhe bizneset e vogla e t[ mesme kosovare.

Ahmeti tha se KEDS-i me anë të faturave me një çmim të lartë po i kompenson humbjet komerciale që i ka.

“Edhe më parë kjo pagesë e rrymës që harxhojnë banorët në veri janë marrë pa i pyetur qytetarët e Kosovës, por megjithatë ato para kanë shkuar në një kompani publike, tani këto para shkojnë në xhepin e “Çalik & Limak” , pa e pyetur qytetarin dhe pa e marrë lejen e tij se a duhet paguar këto apo jo,” tha Ahmeti.

Ahmeti deklaroi se nga këto veprime të KEDS-it  më së shumti pësojnë ata që e kanë gjendjen e vështirë financiare.

“Rasti i fundit skandaloz i konfiskimit të lopës nga ana e KEDS-it të një familjeje skamnore tregon më së miri se çka janë në gjendje të bëjnë këta. Këta po të mundnin do të na privatizonin edhe ajrin,” tha Ahmeti.

Ahmeti tregoi se plehu te KEDS-i është për shkak të konfiskimit të kësaj lope.

“Megjithëse e kemi parë që ka filluar të marrë edhe lopë ne i kemi sjellë KEDS-it një prodhim të lopëve, jo qumësht e as kosin e as djathin, por plehun, sepse mendojmë që atë e meriton,” tha Ahmeti.

Bahtir Borovci, banor i Kishnicës gjatë aksionit të “Vetëvendosjes” u ankua për çmimin e shtrenjtë të rrymës.

“Këta nuk pe di a po na krahasojnë që kemi rroga të zviceranëve, të amerikanëve, apo që po jetojmë në Kosovë,” tha Borovci.