VV: Pasuria që i shpëtoi privatizimit, po gllabërohet nga familjarët e pushtetarëve

Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur një aksion ‘simbolik’ në sheshin ‘Zahir Pajaziti’, në Prishtinë, pranë ndërtesës së kompanisë Vala.

Ata në muret e kësaj ndërtese kanë shkruar “Partneriteti publiko-partiak; prona publike, punëtorët e partisë”, duke e lidhur me punësimet e fundit në kompanitë publike, e sidomos në Telekom.

Avni Zogiani nga LVV, ka thënë se pasuria që i shpëtoj likuidimit nga privatizimi, tash po gllabërohet nga familjarët e liderëve politikë në Kosovë.

“Që nga presidenti, e te kryeministri, kryeparlamentari e deputetë, kanë filluar një fushatë masive të punësimit të familjarëve të tyre në kompani publike, e sidomos në Telekom, e cila është e vetmja alternativë që japin ata ndaj një situate tepër të rëndë që ekziston në sektorin publik. Madje kuvendi ka sjellë disa rezoluta, me qëllim të shpëtimit të kompanive publike, të cilat jo që nuk respektohen por në fakt shkohet kundër tyre”, ka thënë Zogiani.

Sipas tij, deri tash mund të jenë qindra familjarë të liderëve politikë, që janë përfshirë në fushatën e punësimeve familjare në kompanitë publike.

“Në anën tjetër kemi një arrogancë të jashtëzakonshme të liderëve politikë. Ata dalin para mediave dhe thonë po të kishim mundësi do t’i punësonim të gjithë familjarët tanë dhe të gjithë anëtarët e partive. Kjo në një farë forme, nuk është e rastësishme, mendoj që ideja e kësaj qasje të liderëve, konsiston në legjitimimin e një gjëje që është jo ligjore”, ka deklaruar Zogiani.

Ai ka përmendur edhe prokurorinë, ku ka thënë se presin që hetimi të mos jetë një shpëlarje e këtyre veprimeve, siç ka ndodhur shpesh me veprimet e prokurorisë.