VV pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese: Zgjidhja e vetme janë zgjedhjet

Lëvizja Vetëvenosje ka dalë në një konferencë të jashtëzakonshme pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për të shpallur jo kushtetues ekipin negociator për dialogun me Serbinë.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu ka thënë se ata e konsiderojnë të drejtë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.

Haxhiu ka thënë se tash zgjidhja e vetme janë zgjedhjet e jashtëzakonshme dhe dhënia e përgjegjësisë për dëmet që i kanë shkaktuar vendit.

“Siç e dini ne kemi pasur qëndrimin se një herë është dashur të bëhet bilanci i marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel dhe pastaj të bëhet një listë kërkesash për Serbinë duke filluar nga njohja, dëmshpërblimi e kthimi i të pagjeturve. Në këto rrethana kur e kemi presidentin që në mënyrë jo kushtetuese e udhëhequr dialogun me Serbinë, kur e kemi një kryeministër i cili për të ruajtur karrigen e tij dhe për t’i kënaqur apetitet e sëmura të presidentin Thaçi, refuzoi të marr përsipër kompetencat e tij kushtetuese në raport me dialogun”, është shprehur Haxhiu.

Më tej Haxhiu ka thënë se ekipi negociator për dialogun me Serbinë nuk mund të qëndroj tutje pasi ai është delegacion jo kushtetues dhe këtë e ka konfirmuar Gjykata Kushtetuese.

“Ajo çka presim ne janë zgjedhjet e jashtëzakonshme, ju e dini që ne jemi duke mbledhur nënshkrime për rrëzimin e qeverisë Haradinaj. Kjo është një arsye më shumë se nuk e kemi luksin të presim një kryeministër që për të ruajtur karrigen e tij është në gjendje të bëj gjithçka dhe ta lejojë edhe presidentin Thaçi të hyj në aventurën e tij të rrezikshme. Nuk kemi asnjë arsye që të presim”, ka deklaruar Haxhiu.

Deputetja Haxhiu ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje është qysh tani për për dorëzimin e mocionit në Kuvendin e Kosovës për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj.

“Por nuk po e kuptojmë se pse po presim tutje sepse nëse presim deri sa t’i kemi 61 nënshkrime atëherë vetëm do të humbim kohë”, ka përfunduar Haxhiu.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka aprovuar kërkesën e parashtruar nga 32 deputetë të Kuvendit të Kosovës për të vlerësuar kushtetutshmërinë e detyrave, përgjegjësive dhe kompetencave të delegacionit shtetëror për bisedime me Serbinë.

Kushtetuesja ka gjetur se të paktën 5 nene të ligjit që rregullon kompetencat e këtij dialogu janë në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

https://kallxo.com/gjykata-kushtetuese-ekipi-negociator-i-shpend-ahmetit-e-fatmir-limajt-anti-kushtetues/

.