VV paralajmëron protesta në Mitrovicë

Aktivistë të Vetëvendosjes në Mitrovicë, kanë ndërmarrë sot një aksion simbolik para tunelit në hyrje të këtij qyteti në shenjë pakënaqësie për zvarritjen e punimeve, të cilat po bëhen në sanimin e këtij tuneli.

Ata mbanin në duar pankarta me mbishkrimet ‘Deri kur o Pal’, ‘Mërgata po vjen, po kah po i bie’, ‘Pal ik’ dhe të ngjashme, ndërsa kanë vendosur mbi tunel një pano me dimensione më të mëdha dhe me fotografi, ku shkruan ‘Jo bllokimit, Po lëvizjes së lirë’.

Aktivistët poashtu kërkuan përgjegjësi nga vetë ministri i Ministrisë së Infrastrukturës, Pal Lekaj për zvarritjen e punimeve, ndërsa paralajmëruan protestë para kësaj Ministrie nëse tuneli nuk hapet deri më 1 maj.

Alban Uka, nënkryetar i Vetëvendosjes në Mitrovicë tha se qyteti i Mitrovicës është shndërruar në fenomenin e murit të Rozafës dhe projekteve, të cilat nuk përfundojnë asnjëherë, si ura e Ibrit, autostrada Prishtinë-Mitrovicë, rimëkëmbja e Trepçës, e tani edhe tuneli.

Sipas tij, me anë të këtij aksioni simbolik, paralajmërohet serioziteti i situatës, si dhe humbja e durimit të qytetarëve.

“Me anë të këtij aksioni simbolik dëshirojmë që edhe një herë të paralajmërojmë ministrin Lekaj për seriozitetin e situatës, humbjen e durimit të qytetarëve dhe nevojën emergjente për tunel funksional në kohën kur ka aktivitet të shtuar biznesor dhe jemi në pritje të mërgimtarëve tonë. Nëse tuneli nuk hapet deri më 1 maj, shumë shpejt do të na keni aty”, ka thënë Uka.

Dhjetëra aktivistë të kësaj Lëvizje kanë qëndruar rreth gjysmë ore para tunelit, ndërsa ngjarja është vëzhguar gjatë gjithë kohës nga pjesëtarët e policisë.

Derisa aksioni i Vetëvendosjes po zhvillohej, në tunel vëreheshin punëtorë duke punuar, por ata nuk deshën të flasin.

Ndryshe, për shkak të mosfunksionimit të këtij tuneli, qytetarët me automjetet e tyre shfrytëzojnë rrugën alternative për kyçjen në qytet, ndërsa brenda qytetit shpesh krijohen kolona.

Ky projekt që financohet nga Ministria e Infrastrukturës e që ka kosto rreth 380 mijë euro, ka filluar në nëntor 2018 dhe është paraparë të përfundojë brenda 60 ditësh.

Pal Lekaj i rren mitrovicasit

.