Foto: Vetevendosje

VV në Gjilan Kërkon të ‘Mos i Prishet Gjumi’ Lutfi Hazirit

Aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Gjilanit kanë zhvilluar një aksion simbolik para zyrës së kryetarit të kësaj komune, Lutfi Hazirit.

Në këtë aksion është shpalosur një baner me mbishkrimin “Shhhht! Luta po flen”.

Përmes një komunikate për media, Vetëvendosje e Gjilanit e përmend faktin që Kryetari Lutfi Haziri ka hyrë në muajin e pestë pas zgjedhjeve lokale dhe ende nuk e ka formuar qeverinë e tij në Gjilan.

“Kryetari Haziri ka hyrë në muajin e pestë pas zgjedhjeve lokale, ndërsa ai ende nuk e ka qeverinë e tij. Madje ka filluar si në mandatin e kaluar me ushtrues detyre në të gjitha drejtoritë e komunës, përderisa për shkak të qeverisjes “së mirë” të tij, ish drejtorët e Lutës tash po “shpërblehen” me aktakuza”, thuhet në komunikatën e degës së Lëvizjes Vetëvendosje në Gjilan.

Ata janë marrë edhe me drejtorinë e Inspeksionit në Komunën e Gjilanit. Kjo drejtori ishte shuar disa vite më parë nga Kryetari Haziri. E sipas Vetëvendosjes, mungesa e kësaj drejtorie në Gjilan nuk po inspektohet për çështjet e mishit.

“Në të gjithë Kosovën kudo po hetohet çështja e mishit të prishur të importuar, ndërsa Gjilani nuk qanë hallin kush çfarë sjellë për qytetarët, sepse nuk ka as inspektorë sanitarë, sepse nuk ka as Drejtori të Inspeksionit tash e katër vjetë”, thuhet tutje në këtë komunikatë.

Javë më parë, asamblistja e Kuvendit Komunal të Gjilanit, Festa Shabani kishte dhënë dorëheqje nga Lëvizja Vetëvendosje.

Në letrën e saj të dorëheqjes ajo thotë se ishte sharë e ofenduar pasi që kishte votuar “PËR” në Kuvendin Komunal të Gjilanit për kthimin e drejtorisë së Inspeksionit dhe drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

“Kemi kritikuar shumë si Lëvizje edhe nëpër konferenca për shtyp, dhe kemi kërkuar që ato drejtori të rikthehet sa më parë. Jo se me themelimin e tyre, do të zgjidhen problemet e artistëve dhe sportistëve, dhe do të rregullohej kaosi urbanistik në Gjilan, por që të paktën ta kemi adresë të saktë nga ku do të kërkojmë përgjegjësi për këto kategori dhe për këto probleme. Prandaj dje votova për propozimin që të rihapen drejtoritë e caktuara. Votimi kundër, për mua do të ishte hipokrizi”, kishte shkruar asamblistja, tani e pavarur, Festa Shabani.

http://kallxo.com/vetevendosjes-ne-gjilan-ndahet-nje-asambliste/