VV: Koha Është për Zgjedhje të Parakohshme

Një ditë pas tërheqjes së demarkacionit të kufirit me Malin e Zi nga rendi i ditës në Kuvend, Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar që kryeministri Isa Mustafa të japë dorëheqje dhe t’i lë vend zgjedhjeve të parakohshme.

Nënkryetari i Vetëvendosjes, Dardan Sejdiu, tha se pas zhvillimeve të djeshme “demarkacioni tashmë është temë e vdekur”.

“E vetmja që mbetet është dorëheqja e kryeministrit Mustafa. Asnjë temë tjetër Kryeministri dhe Presidenti nuk i kanë sjellë Kosovës qe dy vjet. Vendi nuk bën të zhagitet me tema që i cenojnë interesat e republikës. Kemi qeverisje dyvjeçare e cila na ka sjellë në situatë në të cilën është delegjitimuar dhe duhet legjitimim i ri me anë të zgjedhjeve të parakohshme”, tha Sejdiu.

“Vendimi për të mos vendosur në votim demarkimin ishte i Kryeministrit dhe jo opozitës. Përgjegjësia për liberalizim të vizave gjithmonë bie mbi pushtet, luftimi i krimit, korrupsionit”, tha Sejdiu kur u pyet nëse opozita ndien përgjegjësi në rast se Bashkimi Evropian nuk miraton liberalizimin e vizave për Kosovën meqë ratifikimi i demarkacionit është një nga kushtet e vendosura nga Brukseli.

Ndërsa deputetja Albulena Haxhiu ka kërkuar lirimin e aktivistëve dhe deputeteve të Vetëvendosjes të arrestuar gjatë të enjtes.

“Tre ditë para protestës paqësore u arrestuan 6 aktivistë të LVV, nuk kaloi shumë dhe u kuptua se arrestimi i tyre ishte një mënyrë për t’i frikësuar qytetarët për të ju bashkuar protestës . Nuk ka dyshim se këto përndjekje nuk është asgjë përveç luftë politike kundër LVV”, tha Haxhiu.