LVV

VV kërkon të mos heshten rastet e vdekjeve në vendet e punës

Lëvizja Vetëvendosje në një konferencë për media ka kërkuar që të mos heshten emrat dhe rastet të punëtorëve të cilët kanë humbur jetët në vendet e tyre të punës në Kosovë.

Deputetja e LVV-së, Fatmire Kollçaku tha se aksidentet fatale po bëhen vdekje të heshtura dhe ka zbuluar identitetin e dhjetëra personave që kanë vdekur gjatë punës kryesisht nëpër kantiere ndërtimi gjatë këtij viti.

“Të gjithë si shoqëri duhet të flasim dhe t’i ngritim si çështje këto raste, pasi ato po trajtohen pa emër dhe mbiemër të viktimave. Disa nga punëtorët që kanë vdekur në vend të punës janë:  Musli Krasniqi  nga Ferizaj 60 vjeçar, Fehmi Salihu në KEK 57 vjeçar, Armend Kutllovci Vushttri 45 vjeçar, Gentian Krasniqi nga Malisheva, 23 vjeçar. Valon Berisha nga Drenasi 30 vjeçar. Për rastin e gjashtë nuk kemi mundur ta sigurojmë emrin. Më pas Selaldin Alija nga Prizreni 17 vjeçar humbi jetën, Shpëtim Kabashi nga Rahoveci, 23 vjeçar”, ishin disa nga emrat që i përmendi Kollçaku.

Ndërkaq, nënkryetari i LVV-së, Besnik Bislimi kritikoi Inspektoratin e Punës për shkak të numrit të lartë të rasteve të vdekjeve në vend të punës.

“Ju rikujtoj se vetëm numri i shoferëve në administratën publike është dhjetë fish me i lartë se numri i inspektorëve do të thotë ne kemi dhjetë fish më shumë të punësuar që kujdesen për komoditetin e zyrtarëve publik se inspektor që kujdesen për sigurinë në punë dhe për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve”, tha ai.

Sa i përket votimit të Projektligjeve për FSK-në, Bislimi shtoi se LVV-ja do ta votojë këtë pako të ligjeve të premten në seancën e Kuvendit.

“Për çështjen e Ushtrisë, qëndrimi i LVV-së është i qartë, ne do të jemi në mbështetje të pakos së legjislacionit”, tha Bislimi.

Zyrtarët e Lëvizjes Vetëvendosje u pyetën edhe për qasjen aktuale të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës.

Nënkryetari i LVV-së, Besnik Bislimi tha se nuk ka ndonjë ndryshim radikal të qasjes së BE-së ndaj Kosovës.

“Nuk duhet të barazohet qëndrimi i Mogherinit me atë të Bashkimit Evropian. BE-ja është shumë më shumë se zonja Mogherini. Ajo ka devijuar nga roli i saj ndërmjetësues dhe ka filluar të marr jo vetëm anë por edhe pozicionues”, tha ai.