Vetëvendosje kërkon shpjegime për deportimin e aktivistëve të saj - Foto: Facebook

VV Kërkon Shpjegime për Deportimin e Aktivistëve të Saj

Lëvizja Vetëvendosje kërkon nga autoritetet shtetërore të Kosovës shpjegime rreth deportimit të aktivistëve të saj që vijnë nga Shqipëria.

Shefi i grupit parlamentar të VV-së, Glauk Konjufca, ka bërë një mori pyetjesh në adresë të institucioneve shtetërore.

“Kush e dha urdhrin për ndalimin e Dejonës? Kush është përgjegjës për largimin e saj por edhe të aktivistëve të tjerë, si Boikeni dhe Arbëri?”, ka pyetur Konjufca.

Vetëvendosje ka njoftuar të hënën se autoritetet kufitare të Kosovës ia kanë ndaluar hyrjen anëtares së kryesisë së VV-së, Dejona Mihali.

Sipas Konjufcës, këta aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje nga Shqipëria janë deportuar për shkak të bindjeve të tyre politike.

http://kallxo.com/boiken-abazi-deportohet-nga-kosova/

Shefi i grupit parlamentar të Vetëvendosjes ka akuzuar edhe gjykatat për vonesën në shqyrtimin e ankesave.

“Kush po i pengon ata gjykatës që të punojnë sipas ligjeve? Ata qëllimisht nuk i kanë shqyrtuar paditë e aktivistëve.  Ata duhej që brenda 60 ditëve ta shqyrtojnë rastin, e këto ditë kanë kaluar në rastin e Boikenit dhe Arbërit”, tha Konjufca.

Ndërsa deputetja Albulena Haxhiu siguroi se mbas konferencës si kryetare e Komisionit parlamentar për Legjislacion do t’i drejtohet me kërkesë Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

“Do t’i drejtohem kryesuesit të Këshillit Gjyqësor, Nehat Idrizit për shkeljen e akteve ndërkombtare në rastin e aktivistëve tanë për këtë vonesë të shqyrtimit të ankesave”, u shpreh ajo.

Haxhiu theksoi po ashtu se arrestimet e aktivistëve të VV-së që vijnë nga Shqipëria janë bazuar në “halucinacionet e kësaj Qeverie”.

http://kallxo.com/zaimi-lirohet-me-urdher-per-ta-leshuar-kosoven/