Albin Kurti në Kuvend - Foto: KALLXO.com

VV Kërkon Shkarkimin e Dhurata Hoxhës dhe Zyrtarëve Policorë për Vdekjen e Deharit

Në Kuvendin e Kosovës është duke u mbajtur interpelancë në lidhje me vdekjen e aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje në burgun e Prizrenit në nëntor të vitit të kaluar.

Kryetari i Lëvizjes Albin Kurti ka kërkuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që ta votojnë mocionin e interpelancës ku kërkohet shkarkimi i ministres Dhurata Hoxha, zyrtarëve policorë që kanë qenë përgjegjës atë ditë.

“Realizimi pa vonesa i hetimit të pavarur ndërkombëtar si dhe bashkëpunimi pa pengesa nga institucionet ligj zbatuese të institucioneve të Kosovës; Shkarkimi i menjëhershëm i zyrtarëve policor, përgjegjës për rastin në mënyrë që ti hapet rrugë hetimit të plotë dhe pa pengesa; Shkarkimi nga pozita e ministres në kabinetin qeveritar i zonjës Dhurata Hoxha, si ministre ndaj të cilës dështoj [përmbushja e detyrës zyrtare dhe pengesën në hetimet e pavarura”, ka lexuar Kurti kërkesat e partisë së tij në interpelancën e sotme.

Kurti gjatë fjalës së tij ka kujtuar deklaratat e zyrtarëve policor e zyrtarëve prokurorisë në ditën e vdekjes së Astrit Deharit.

“Shteti ka gënjyer kur Astrit është arrestuar, shteti ka gënjyer kur Astrit ka vdekur”, tha në mes tjerash Kurti

Sipas Kurtit mbi Astrit Deharin është kryer krimi prej ditës kur është arrestuar e deri atëherë kur vdiq, me 5 nëntor 2016.

“Kemi vendimin e Kuvendit për hetime ndërkombëtarë, mirëpo menjëherë po atë ditë, pason litra  e ish ministres se Drejtësisë, Dhurata Hoxha për kryeprokurorin Lumezi, përmes së cilës ajo kërkonte të kryheshin hetime për keqpërdorim të detyrës zyrtare ndaj avokatit Tomë Gashit, ndaj ekspertit të mjekësisë ligjore, Besim Ymaj dhe patologut Besim Latifaj të cilët kanë marrë pjesë në obduksionin e Astrit Dehari”, tha në mes tjerash Kurti gjatë fjalimit të tij.

Interpelanca është duke vazhduar.