VV kërkon ligj për gjykimin në mungesë të të dyshuarve për krime lufte

Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje sot ka proceduar në Kuvendin e Kosovës nismën legjislative për gjykim në mungesë të të dyshuarve për krime gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Kështu ka thënë deputetja e LVV-s Albulena Haxhiu në një konferencë për medie, duke thënë se është pritur që Kosova ta padisë Serbinë për gjenocid por se kjo gjë ende nuk ka ndodhur.

“Pritëm që shteti ynë do ta padiste për gjenocid Serbinë por as kjo nuk ndodhi edhe për kundër deklaratave pompoze andaj ne sot si Grup Parlamentar proceduam në Kuvendin e Republikës së Kosovës nismë legjislative për gjykimin në mungesë të kriminelëve serbë”, tha Haxhiu.

Haxhiu tregoi që në Kuvend gjatë zhvillimit të debatit parlamentar sa i takon çështjes së të pagjeturve nga lufta e fundit në Kosovë njëra nga kërkesat e rezolutës së miratuar ishte edhe hartimi i projektligjit për gjykimin në mungesë të personave të akuzuar për krime lufte në Kosovë.

Haxhiu tregoi se e kanë përgatitur draft ligjin që ka në qendër të trajtimit çështjen e gjykimit në mungesë të personave të akuzuar për krime të luftës në Kosovë.

Sipas Haxhiut, misionet e huaja në Kosovë UNMIK-u dhe EULEX-i nuk patën si qëllim shqyrtimin e krimeve të kryera nga shteti i Serbisë në Kosovë ndaj shqiptarëve dhe të tjerëve.

“Ata kanë qenë në dijeni në hollësi të masakrave, dhunimeve dhe mijëra raste të dhunës së kriminelëve të ushtrisë dhe policisë së Serbisë në Kosovë”, shtoi Haxhiu.

Edhe deputetja e LVV Saranda Bogujevci tha se “ky ligj është tejet me rendësi për shkak se ka kalu një kohë shumë e gjatë dhe familjet që kanë pësuar gjatë luftës, viktimat e dhunës nuk kanë gjet drejtësi”.

Sipas Bogujevcit ky ligj do tu jap një formë të drejtësisë këtyre familjeve.