VV-ja Reagon për Fjalën Jug Pas Mitrovicës

Ndryshimet në statutin e Komunës së Mitrovicës i kërkoi ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal Ljubomir Mariq.

Me anë të një vendimi Mariq kërkoi nga kjo komunë që në tërë tekstin e statutit komunal emërtimit Komuna e Mitrovicës t’i shtohet fjala jugore, ose jugut, ndërsa më 1 shkurt kryetari Agim Bahtiri ia dërgoi asamblesë një propozim-vendim për ndryshim-plotësimin e këtij statuti.

Asamblisti i “Vetëvendosjes” në Mitrovicë Faruk Mujka shprehu pakënaqësinë për vendimin e ministrit që të ndryshohet emri i Komunës së Mitrovicës.

“Kjo buron nga pakoja e Ahtisarit që është edhe ni hap në procesin e ndarjes faktike të Mitrovicës, por  edhe Kosovës. Nga kërkesa e Goran Rakiqit për rikonfigurimin e vijës kufitare veri-jug, tash edhe emërtimi që tregon që dalëngadalë Mitrovica po ndahet jo në dy komuna, por në dy organizime të ndryshme shtetërore,” tha Mujka.

Pakoja e Ahtisarit që është integruar në Kushtetutën e Kosovës parashikon që nga qyteti i Mitrovicës të krijohen dy komuna-Mitrovica e Jugut dhe Mitrovica e Veriut, ndërsa ka mospajtime rreth përcaktimit të kufirit administrativ mes këtyre dy komunave.

Mujka tha se “jemi kategorikë dhe nuk do ta pranojmë emërtimin e ri”.

Nënkryetarja e Kuvendit dhe deputetja e “Vetëvendosjes” Aida Dërguti tha se ky subjekt politik këtë që po ndodh sot e ka parashikuar në vitin 2006 kur pakoja e Ahtisarit po negociohej në Vjenë.

Dërguti shtoi se megjithëse Serbia nuk e ka njohur këtë pako “e ka shfrytëzuar për ndarjen etnike brenda Kosovës”.

E pyetur nëse do të ketë protesta në këtë komunë për kundërshtimin e këtij emërtimi, ajo tha se “Do të vazhdojmë ta kundërshtojmë, së paku brenda asamblesë komunale. Për të tjerat ju njoftojmë me kohë”.

Propozim Vendimi