VV-ja kundërshton certifikimin e kandidatëve të Listës Serbe për zgjedhjet në veri

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka mbajtur mbledhjen e radhës në të cilën pritej të bëhej certifikimi i subjekteve politike dhe kandidatëve për zgjedhjeve të jashtëzakonshme në komunat me shumicë serbe.

Mirëpo për shkak që tre nga 4 kandidatë e Listës Serbe ishin pikërisht ish-kryetarët e këtyre komunave, dy përfaqësuesit e Vetëvendosjes në KQZ kundërshtuan certifikim e tyre.

Valmira Selmani, ushtrues detyre e drejtoreshës së zyrës së partive politike, ka thënë që tri subjektet që kanë aplikuar i kanë plotësuar kushtet për certifikim.

“Zyra ka shqyrtuar dokumentacionin e Listës Serbe, kjo garon në 4 komuna, procesimi ka rrjedhur brenda afatit, kushtet janë plotësuar konform ligjit. Kandidat për kryetar të komunës së Leposaviqit nga Lista Serbe është Zoran Todiq, për kryetar të Zubin Potokut Srdjan Vuloviq, për kryetar të Zveçanit Vuçina Jankoviq si dhe për Mitrovicës të Veriut Goran Rakiq”, tha ajo, duke rekomanduar certifikimin e tyre.

Adnan Rrustemi, anëtar i KQZ-së nga VV, tha që 3 nga kandidatët e Listës Serbe nuk duhet të certifikohen.

“Unë nuk jam kundër komuniteteve më Kosovë, mirëpo në rastin konkret e kuptojmë që jemi në një situatë të pazakontë për mënyrën sesi kemi ardhur tek këto zgjedhje. Po të respektoheshin afatet ligjore pas dorëheqjeve zgjedhjet duhet të mbaheshin para 4 muajve. Në rastin konkret në mesin e 4 kandidatëve, 3 prej tyre janë ish-kryetarët e këtyre komunave, duhet ta evidentojmë që 3 nga këta kandidatë me dorëheqjet që kanë dhënë për bindjen time bien në kundërshtim me kushtetueshmërinë e Kosovës”, tha ai.

Sipas tij, Lista Serbe duhet të ofrojë dëshmi që këta kandidat janë në përputhje me ligjin.

“Këta kandidatë do të duhej të ishin të papranueshëm, LS duhet të ofrojë kandidatë të tjerë të cilët janë në përputhje me ligjshmërinë, KQZ-ja nuk duhet të qëndrojë indiferent, ne nuk mundemi të shpenzojmë mijëra euro për procese që nuk janë demokratike. Kjo çështje duhet të shkojë edhe në Gjykatën Kushtetuese e cila duhet ta thotë fjalën se tre kandidatët e dorëhequr duke ju referuar shtetit të Kosovës me emërtimin jokushtetues se a kanë te drejtë. Unë nuk mund ta mbështes certifikimin e kandidatëve në fjalë”, tha ai.

Stefan Veselinoviq, anëtar i Listës Serbe në KQZ tha se është e drejtë e subjektit të tij të kandidojë ata që vet subjekti vlerëson.

“Sulmet politike vetëm e vërtetojnë që të sulmohen përfaqësuesit e subjekteve politike. Lista Serbe nesë i ka propozu dhe gjithkush e ka të drejtë unë nuk e shoh këtë problem. Mendoj që këtu nuk ka vend për politikën”, tha ai.

Florian Dushi, anëtar i KQZ-së nga LDK-ja, tha që përderisa ky është rekomandim i zyrës duhet të pranohen këta kandidatë.

“Autorizimet e këtij institucioni janë të kufizuara dhe ne duhet të reskeptojmë dispozitat ligjore. Mund të jetë problematik aspekti etik dhe politik i rikthimit të këtyre kandidatëve megjithatë konisderoj se ashtu si edhe ka dalë zyra me rekomandim KQZ-ja do të duhet që me respektim të ligjit të mos e problematizoj këtë çështje përtej autorizimeve të veta, meqë ligjërisht nuk kemi ndonjë pengesë ne do të duhej ta kemi të qartë që të veprojmë në bazë të kompetencave ligjore”, tha ai.

Sipas tij, KQZ-së duhet të shmanget nga vlerësimet politike për këtë çështje.

“Ideja se janë dorëhqeur dhe nuk kanë të drejtë do te krijonte një precedent tjetër, prandaj për këtë arsye kërkoj që si institucion të mos marrim barrë politike secili në mënyrën e vetë të jap kontributin që ky proces të ecë mirë. Të shmangemi nga vlerësimet politike që nuk kanë vend në KQZ”, tha Dushi.

Anëtarët e Komisionit u dakorduan që të marrin një pauzë 10 minutëshe, mirëpo ka kaluar më shumë së një orë dhe nuk janë kthyer më në mbledhje.