VV: Hetimet për Vdekjen e Astrit Deharit, Joprofesionale

Lëvizja Vetëvendosje ka kritikuar sot publikimin e xhirimeve nga kamerat e sigurisë që tregojnë situatën në qendrën e paraburgimit në Prizren në momentet para dhe pas vdekjes së aktivistit të kësaj partie, Astrit Dehari.

Në një konferencë për shtyp, deputetja e Vetëvendosjes Albulena Haxhiu, tha se provat në hetimin e këtij rasti “janë duke u administruar në mënyrën më të keqe të mundshme”.

“Pse kanë nevojë policia e prokuroria të bëjnë propagandë mediatike me rastin? Policia e prokuroria nuk po e zbardhin rastin por po duan ta ndërtojnë atë”, tha Haxhiu.

“Publikimi i xhirimeve flet më së miri për profesionalizimin dhe paanshmërinë e organeve të hetuesisë. Këta nuk janë as profesionistë, as të paanshëm”, shtoi ajo.

Haxhiu u shpreh se mënyra se si janë publikuar incizimet në këtë fazë të hetimeve është e papranueshme.

Haxhiu ka përsëritur kërkesën e Vetëvendosjes për formimin e një ekipi të pavarur hetuesish që do t’i gjurmonin shkaqet e vdekjes së Deharit.

“Ne edhe dje kemi kërkuar që hetimet rreth rastit të vdekjes së Astritit të ndërpriten por nuk kemi marrë përgjigje. Duam hetues të pavarur, jo ata që i cakton klani Pronto, por ata që i cakton familja, sepse vetëm kështu zbardhet e vërteta për atë që ka ndodhur në qendrën e paraburgimit në Prizren”, tha ajo.