VV: Hashim Thaçi lejoi ndërtimin e spitalit privat në oborrin e QKUK-së

Lëvizja e Vetëvendosjes ka akuzuar presidentin aktual Hashim Thaçi, se kishte marrë vendim që lejonte ndërtimin e spitalit privat në oborrin e QKUK.

Anëtarët e Vetëvendosjes, Arben Vitia dhe Isuf Hulaj në një konferencë për media kanë thënë se me vendimin e kryeministrit të atëhershëm në vitin 2009, është lejuar ndërtimi i këtij spitali privat.

“Kompania që donte të ndërtonte na pat dhënë dy vendime, njërin nga komuna ku i lejohet Faton Dalladakut për të ndërtuar dhe vendimi tjetër i kryeministrit të atëhershëm Hashim Thaqit, që e përkrahte vendimin e komunës së Prishtinës. Vendimi i dytë ishte bazuar në mbledhjen e qeverisë, me të cilin shfuqizohen vendimet e mëparshme të qeverisë. Ministri Ismaili u mundua që të shfajësojë PDK-në, duke e fshehur vendimin  kryesor, që iu hapi rrugë ndryshimit të ligjit dhe ndërtimin e këtij spitali brenda QKUK, që ndodhi pas ndryshimit të Udhëzimit Administrativ që e bëri ministri Rrahmani dhe që në vitin 2015 u legalizua si spitali amerikan”, ka thënë Isuf Hulaj nga Vetëvendosje.

Hulaj ka thënë se është publikuar nga një portal i afërt me pushtetin një vendim  i falsifikuar, që ka një përmbajtje krejt të kundërt me atë të vitit 2009.

“Këtë skandal të klasifikimit që del nga zyra e kryeministrit dhe kërkojmë që Hashim Thaçi të tregojë se cili është i saktë dhe cili i falsifikuar. Kërkojmë nga Haradinaj të publikojë vendimin e qeverisë të vitit 2009, sepse nga portali i qeverisë është eliminuar”, ka thënë Hulaj.

Ndërsa anëtari tjetër i Vetëvendosjes, Arben Vitia, ka thënë se Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka për detyrë që spitalin privat ta largojë nga mjediset e QKUK-së dhe sipas Vitisë, arsyeja e vetme se pse tash është aktualizuar ky problem nga Ministri i Shëndetësisë, është se ka për qëllim të mbulojë aferën e fundit të dal në publik ku përmendet emri i Kadri Veselit.

Vetëvendosje ka kërkuar që prokuroria e shtetit të hetojë ndërtimin e këtij spitali në oborrin e QKUK-së dhe të mos ‘zmbrapset’ nga skandali i fajdeve.