VV flet për nisje të hetimeve ndaj Shpend Ahmetit nga Prokuroria

Lëvizja Vetëvendosje qendra në Prishtinë, ka mbajtur konferencë për media ku kanë thënë se Prokuroria ka filluar hetimet ndaj Shpend Ahmetit, sipas tyre, për keqpërdorimet në tenderin për furnizim me qumësht, për nxënësit nga klasa e parë deri në të pestën  në Komunën e Prishtinës.

Fitore Pacolli nga VV-ja tha se në krahasim me vitin paraprak kur është shpallur tenderi për furnizim me qumësht, vlera e produktit është rritur për 300%.

“Tani që në Komunën e Prishtinës nuk udhëheq Lëvizja Vetëvendosje, nuk u zgjerua shërbimi për nxënësit në nivelet tjera, por u ngrit çmimi. Nuk u përmirësua as shujta të cilën ne mendonim në fillim ta bënim. U rrit çmimi për 300% më shumë se në vitin paraprak. Tani Komuna e Prishtinës nuk paguan 200 mijë euro për qumështin por 733 mijë euro”, ka thënë Pacolli.

Sipas saj, kryetari Ahmeti nuk ka dhënë asnjë sqarim se në çfarë baze ka vendosur vlerën e produktit në tender, ku ka shënuar rritje.

“Deri më tani kryetari nuk ka dhënë asnjë sqarim se në çfarë baze ka vendosur vlerën e parashikuar në tender. Nëse ofertat do të vinin më të larta, komuna do ta kishte të lehtë ta kuptonte vlerën e produktit në treg. Ne nuk e dimë se si kryetari ka ardhë në përfundim se vlera e qumështit është rritur për 300 %. Vlera e qumështit në treg nuk ka ndryshim. Asnjë sinjal që i tregojnë komunës që çmimi i qumështit është rritur, nuk ka ndodhur”, ka deklaruar Pacolli.

Ndërsa aktivisti tjetër i Vetëvendosjes Valdrin Ahmeti, ka thënë se Prokuroria ka filluar hetimet ndaj Ahmetit, pas kallëzimit penal që e ka bërë Vetëvendosja, ndaj kryetarit Ahmeti.

“Dje prokuroria ka filluar zyrtarisht hetimet në lidhje me keqpërdorimet me qumësht. Hetimet do të tregojnë atë që kemi  thënë deri më tani, që është dëmtuar buxheti për 550 mijë euro. Është për të ardhur keq që kryetari ka dhënë përgjigje anësore, ende nuk ka dhënë përgjigje se  ku kanë mbetur 530 mijë euro. Prokuroria duhet ta bëjë Ahmetin të tregojë se ku janë paratë. Këto keqpërdorime të kujtojnë keqpërdorimet në emër të dëshmorëve  e në tenderët me varrezat e dëshmorëve nëpër komunat tjera”, ka thënë aktivisti Ahmeti.

Kryetari Shpend Ahmeti pati reaguar ndaj pretendimeve të VV-së, se do t’i padisë Vetëvendosjen  për shpifje.

 

https://kallxo.com/shpend-ahmeti-do-ta-padise-vetevendosjen-per-shpifje/

.