VV e PSD refuzojnë Kadri Veselin, të tjerët ‘heshtin’

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, përmes një konference për media u ka bërë ftesë partive politike ta nënshkruajnë paktin kundër korruspionit të iniciuar nga ai.

Ky pakt i propozuar nga Kadri Veseli përmban 10 pika, e para prej tyre është moskandidimi i personave që kanë aktakuza për korrupsion dhe nepotizëm.

Dy partitë opozitare, që ishin bashkë deri para një kohe, Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Social Demokrate e kanë refuzuar ofertën e Veselit, ndërsa partitë e tjera nuk e kanë komentuar fare.

KALLXO.com ka provuar të kontaktojë me zyrtarë të LDK-së, AAK-së dhe NISMA-s por ata kanë qenë të pa qasshëm në telefon.

Zyrtari për informim i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka tha se pakti me Kadri Veselin është pakt për legjitimim të korrupsionit të PDK-së.

“Të bërit pakt me Kadri Veselin për luftimin e korrupsionit është pakt për legjitimin të korrupsionit të partisë së tij. Pra prapa kësaj kërkese fshihet tentativa për të harruar gjithë korrupsionin e 20 viteve të pasluftës që është edhe njëri prej shkaktarëve që kemi shtet të kapur e ekonomi të pazhvilluar”, tha për KALLXO.com, zyrtari për informim i VV-së, Arlind Manxhuka

PDK-në e Veselit e ka refuzuar edhe PSD-ja e Shpend Ahmetit. Zëdhënësja e PSD-së, Natyra Kuçi tha për KALLXO.com se ata nuk do të nënshkruajnë asgjë që propozohet nga PDK.

“PDK duhet të shkoj në opozitë. I ka bërë mjaft dëme vendit. Sigurisht që nuk do të nënshkruajmë asgjë që propozohet nga PDK. Qytetarët do të vendosin me votë se kush do t’i përfaqësoj”, tha për KALLXO.com Natyra Kuçi, zëdhënëse e PSD-së.

Në anën tjetër, Fatmir Matoshi nga AKR tha se nuk ka ndonjë informacion për ftesën e PDK-së, ndonëse thotë se në parim s’ka diçka të keqe për të nënshkruar një pakt të tillë.

“Nuk kam informacion që na ka ardhë. Në parim s’ka diçka të keqe, kish me qenë në rregull me nënshkru, por është mirë me u kry puna”, tha Matoshi për KALLXO.com

KALLXO.com ka provuar të kontaktojë nga disa zyrtarë të partive tjera, por ata nuk janë lajmëruar në telefonat e tyre.

Zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës do të mbahen me 6 tetor. Deri te zgjedhjet erdhi pas dorëheqjes së kryeministrit Rmaush Haradinaj.

PDK qeveris që 12 vjet, Veseli thotë se korrupsioni ‘ka rritur nivel’ në Kosovë (VIDEO)

.