Isa Mustafa - Albin Kurti

VV e LDK Përafrohen, Ftojnë edhe AKR-në

Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë përafruar qëndrimet e tyre në ndërtimin e një platforme qeverisëse ndërsa i bënë thirrje Behgjet Pacollit të AKR-së të kthehet në koalicion, pavarësisht se pak orë më parë ai i ndau rrugët me LDK-në.

Avdullah Hoti i LDK-së, pas takimit të sotëm me Dardan Sejdiun e VV-së tha se këto dy subjekte do të kenë takime të përditshme për ta hartuar një platformë.

“I bëj ftesë AKR-së të na bashkohet që nga nesër për ta draftuar platformën tonë qeverisëse. Jemi të autorizuar ta arrijmë marrëveshjen e përbashkët dhe ta çojmë këtë marrëveshje në nivelet më të larta”, tha Hoti.

“Shumë shpejt mund të dalim me platformë të shkruar për qeverisje të përbashkët. Besoj që pas 6 dështimeve të seancës është parë që PAN nuk e ka shumicën e nevojshme në Kuvend”, tha Hoti

Edhe Dardan Sejdiu i Vetëvendosjes tha se “vendi ka nevojë për platformë dhe qeveri që e kthen zhvillimin ekonomik në binarë, shëndetësinë e arsimin”.

“Shumica shqiptare duhet të jetë shtylla e qeverisë. Edhe Pacolli duhet të na bashkëngjitet’, tha Sejdiu.