VV: Djemtë e Mustafës Importojnë nga Serbia

Lëvizja Vetëvendosje thotë se ka zbuluar se menjëherë pasi ka fituar tenderin për servisimin e veturave të Kryeministrisë, kompania “Makcar L.L.C” e djemve të kryeministrit Isa Mustafa ka filluar import intensiv të pjesëve të veturave nga Serbia.

Për tenderin e fituar të kompanisë së djemve të Isa Mustafës ka shkruar Gazeta JNK, ku është thënë se kompania “Makcar”, ku Besniku është pronar bashkë me vëllain e tij Arbenin, fitoi kontratë pikërisht nga Zyra e Kryeministrit, e udhëhequr nga prindi i tyre.

Zyra e Kryeministrit shpalli fitues këtë kompani më 21 korrik të këtij 2015. Gjashtë ditë më vonë ishte nënshkruar kontrata mes “Makcar” dhe Zyrës së Kryeministrit.

Djemtë e Isa Mustafës Fitojnë Tenderë nga Kryeministria

Sipas Lëvizjes Vetëvendosje, djemtë e kryeministrit janë lidhur me kompaninë serbe “Delta Motors DOO” në Beograd, e cila është kompani e Mirosllav Mishkoviqit.

“Kompania e djemve të Isa Mustafës, Besnik dhe Arben Mustafës, e filloi një import intensiv të autopjesëve nga Serbia. Ata u lidhën me kompaninë serbe “Delta Motors DOO” në Beograd dhe problemi më i madh është që “Delta Motors” është kompani e Mirosllav Mishkoviqit”, u shpreh Konjufca.

Sipas tij, Mishkoviqi është kryemagnati serb i krimit të organizuar dhe shpëlarjes së parave.

“Në fillim të viteve ’90, kur Isa Mustafa ishte ministër i Rrahman Morinës, Mishkoviqi ishte zëvendëskryeministër i Millosheviqit në atë kohë. Gjatë luftës në Kosovë, Shumë miliona të Mishkoviqit shkonin për t’i kënaqur grupet paramilitare dhe eksponentët e krimeve nga politika dhe qeveria meqë Mishkoviqi e mbante perandorinë e tij të biznesit kryesisht duke i korruptuar pushtetarët në Beograd”, tha Konjufca, duke shtuar se kjo tregon që me të ardhur në Qeveri “Mustafa po i ngjall lidhjet e tij miqësore”.

Konjufca më tutje shtoi se kanë siguruar dokumente të importit të kompanisë së djemve të kryeministrit me kompaninë “Delta Motors” në Beograd.

“Unë kam me vete dokumente, me qindra faqe, të importit qe kompania e djemve të kryeministrit ka me kompaninë “Delta Motors” në Beograd dhe për vetëm 5 herë import, me siguri ka edhe shumë herë të tjera që ata kanë importuar, vlera është mbi 77 mijë euro”, pohoi ai.

Kjo, sipas Konjufcës, është një argument më shumë pse Qeveria e Isa Mustafës duhet të bjerë.

Sipas tij, nuk është e rastësishme që një Qeveri e tillë asnjëherë nuk do ta bëjë reciprocitetin politik, ekonomik dhe tregtar me Serbinë. Konjufca ka shtuar se vetë pushtetarët dhe familjet e tyre jo vetëm që me kompanitë që zotërojnë privatisht janë të lidhur me Serbinë e Mishkoviqëve, por duke mos u mjaftuar kjo duan që vetë Kryeministrinë si institucion të lartë shtetëror dhe taksat e qytetarëve t’i çojnë atje ku nuk duhet.

I kontaktuar nga KALLXO.com, ministri Arban Abrashi tha se Zyra e Kryeministrit do të dalë me një qëndrim rreth këtyre akuzave të Lëvizjes Vetëvendosje në adresë të Isa Mustafës, konkretisht të djemve të tij për biznes me kompaninë e Mirosllav Mishkoviqit.

Megjithatë, ndaj akuzave të Vetëvendosjes ka reaguar partia të cilën e drejton Isa Mustafa.

Reagimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës

Përmes një komunikate, Lidhja Demokratike e Kosovës reagon ndaj “përpjekjeve bizare dhe neveritëse” të VV-së për të njollosur kryeministrin dhe familjen e tij.

LDK-ja konsideron se përpjekjet e sotme të kësaj lëvizje janë rezultat i dështimit të kauzave të saj antishtetërore për zhytjen e vendit në kaos, anarki dhe gjakderdhje, për stopimin e rrugës integruese euroatlantike dhe prishjen e partneritetit me SHBA-të dhe vendet e tjera mike.

LDK-ja kërkon nga kjo lëvizje, e cila po neverit njerëzit brenda dhe jashtë Kosovës, që para së të përpiqet që të ndërtojë kauza morbide duke cenuar çdo parim etik e moral, të sqarojë:

  1. Kush po sjell para pa kufi nga Serbia për veprimtarinë e saj në Kosovë dhe kush po jep fonde të posaçme për të hedhjen e molotovëve mbi policët, objektet shtetërore dhe shtëpitë e makinat private të zyrtarëve të shtetit të Kosovës?
  2. Të na tregojë se a janë të njëjtit njerëz, në krye me Ivica Daçiqin, të cilët i organizonin konferenca ekskluzive ish-liderit të VV-së gjatë qëndrimit në burg, ku ai trajtohej si VIP? A është kjo arsyeja që qëndrimi i VV-së dhe i Beogradit zyrtar përputhet karshi shumicës dërrmuese të proceseve në Republikën e Kosovës?
  3. Glauk Konjufca, është mirë që të na tregoj se a vazhdon ai dhe familja e tij e ngushtë të përpiqen të uzurpojnë ferma pulash në Lipjan e gjetkë dhe që përmes partneritetit me firma serbe të rrisin kapitalet e tyre?

LDK-ja thekson përkushtimin e saj të plotë, që përkundër përpjekjeve neveritëse të një subjekti ultra-majtist i cili po vë në dilemë miqësinë e Kosovës dhe të popullit të saj me SHBA-të, të angazhohet edhe më fuqishëm në forcimin e gjithanshëm të shtetit të Kosovës dhe të miqësisë së përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e tjera mike perëndimore.