KK i Prishtinës - 28.02.2019

VV dhe LDK kritikojnë Shpend Ahmetin për keqmenaxhim edhe shpenzime luksoze

Në Kuvendin Komunal të Prishtinës iu ndryshua vendi në rendin e ditës diskutimit për propozim-vendimet për fillimin e hartimit të Planit rregullues për zonën “Mati 1” dhe lagjen “Kalabria”, kjo me kërkesë të asamblistëve të LVV dhe LDK, për shkak të mos përfundimit të Hartës Zonale.

Në këtë mbledhje të Asamblesë u kritikua kryetari i komunës, Shpend Ahmeti për shpenzimet “luksoze” dhe për mos përfundimin e projekteve për të cilat ishte ndarë buxheti.

Ndërsa, asamblistja e AAK-së, Fiknete Bejta kërkoi që të bëhet një lapidar në lagjen “Sofali”, në Prishtinë, për viktimat e kësaj lagje që kanë rënë gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Asamblisti i Vetëvendosjes, Egzon Azemi tha se duhet të dihet kur do të përfundojë Harta Zonale.

“Nëse zgjidhja qenka planet rregulluese atëherë Harta Zonale qenka e panevojshme. Duhet me dit se a do vazhdoj komuna me përfundu Hartën Zonale për të cilën ka premtuar që 5 vite, afati është në mars po mund të zgjasë dhe do të zgjasë se sa afati që është. Kërkoj që pikat 12 dhe 13 të vendoset si e 3 apo e 2 sepse nuk mund të flitet për plane të hollësishme pa pas informata të detajuara se në çfarë pike janë”, tha Azemi.

Agim Gashi, asamblisti nga radhët e LDK-së, ngriti një çështje tjetër si problem për qytetarët në lagjen “Ulpiana” dhe kërkoi që të hyjë në rendin e ditës në mbledhjen e ardhshme.

“Dua të ngris një çështje tjetër që është gjendja e soliterëve në Ulpianë afër fontanës, ajo është në gjendje emergjente dhe e kemi vërejtur se komplet është horrorizu dhe nuk di se çfarë do të ndodhë që Komuna të reagojë. Nuk e di se pse nuk është marrë parasysh për sanimin e gjendjes. Ne duhet t’i parandalojmë gjërat para se të ndodhë më e keqja”, tha Gashi.

Asamblisti i PDK-së, Leotrim Retkoceri kërkoi që të futet në rend të ditës diskutimi për mungesën e parkingjeve, por i cili nuk kaloi me 25 vota kundër.

Në diskutimin për shqyrtimin e raportit financiar buxhetor të Komunës për periudhën 1 tetor deri më 31 dhjetor 2018 dhe 1 janar deri 31 dhjetor 2018, asamblisti i LDK-së, Halim Halimi nga LDK-ja, tha se kurrë më keq nuk ka pasur shpenzime komuna, ku nga 86 milionë të parapara, janë harxhuar vetëm 61 milionë.

“Kurrë me keq komuna nuk i ka pas shpenzimet prej ku prej 86 milionë të parapara janë harxhuar 61 milionë dhe kanë mbet 25 milionë mjete të pashpenzuara dhe këto që janë shpenzuar janë shpenzime komunale, subvencione, mallra e shpenzime… apo jo pagat shkojnë dhe shërbimet për inventar të komunës por shpenzime për investime kapitale që kanë mbet 21 milionë pa u shpenzuar. Këto që kanë mbet na lënë me kuptuar se ka pasur keqplanfikim dhe keqmenaxhim sepse po të menaxhoheshin me kohë investimet kapitale sot nuk do ta kishim gjendjen siç e kemi me 25 milionë mbetje”, tha Halimi.

Ai tha se komuna në “luks” ka shpenzuar më shumë se sa që ka pasur të planifikuar.

“Në shpenzime të luksit komuna ka avancuar në shërbime bile i ka tejkaluar, për dreka ka pas të planifikuara 25 mijë ndërsa i ka shpenzua 30 mijë, për telefona ka pas të planifikuar 75 mijë ndërsa 83 mijë janë shpenzuar, karburante 13 mijë euro më shumë se sa të planifikuara, qiraja për vetura 300% më shumë nga ajo që ka qenë e planifikuar”, shtoi Halimi nga LDK.

Mirsad Vitia nga Lëvizja Vetëvendosje, u shpreh i pakënaqur me shpenzimet buxhetore që janë bërë në këtë periudhë kohore.

“Sipas këtij raporti nëse e krahasojmë me vitin e kaluar për periudhën e njëjte, ka përmirësime dhe duhet vlerësuar puna e secilit por duhet theksuar se kjo rritje vije nga pagesa e mbeturinave, gjobat nga trafiku, gjobat e gjykatës”, tha ai.

Asamblistja, Arbenita Murseli nga AKR kërkoi sqarime se pse nuk janë shpenzu fondet e ndara për kabinat në stacione të autobusëve, trajtimin e qenve endacak.