VV akuzon AAK-në e Nismën për ‘Flirtim me Pushtetin’

Lëvizja Vetëvendosje ka përgënjeshtruar deklaratat e pjesës së ndarë nga blloku opozitar se oferta e kësaj partie për “alternativë” ndërmjet opozitës dhe shoqërisë civile parashihte shkrirjen e subjekteve tjera në këtë parti.

“Nuk bëhet fjalë për shkrirje, propozimi ynë që ka qenë për alternativën e përbashkët. Ka pasë të bëjë më krijimin e një trupe në të cilin marrin pjesë në mënyrë të barabartë të gjitha subjektet, megjithëse nuk e kanë fuqinë e barabartë”, tha Frashër Krasniqi, zëdhënës i Vetëvendosjes.

Madje Krasniqi tha se VV ka sakrifikuar kur i është ofruar partnerëve të deritsotëm me këtë ofertë.

“Lëvizja Vetëvendosje ka qenë dhe është e gatshme të sakrifikojë në çfarëdo mënyre, qoftë me burg qoftë duke ju lëshuar pe subjekteve opozitare, në mënyrë që të mundësohet ky bashkëpunim opozitar, por normalisht që VV funksionon me parime dhe kritere. Nuk mundemi me lshu pe veç për teke”, u shpreh ai

Krasniqi i quajti cinike deklarimet e Avni Arifit të AAK-së i cili në një koment të tij kishte thënë se VV me ofertën e vet kishte kërkuar që në krye të Këshillit Drejtues të ‘Alternativës” të jetë Albin Kurti, bartës i saj të jetë Visar Ymeri e kandidat për kryeministër Dardan Molliqaj.

“Nuk është e vërtetë, është spekulim, nuk kemi folë për këto detaje. Propozimi i Vetëvendosjes ka qenë për trupë e përbashkët të të gjithëve, VV-AAK-NISMA dhe shoqëria civile, madje po më duket pak cinik deklarimi i z. Arifi”, tha Krasniqi.

Krasniqi tha se ka javë që VV- AAK e NISMA nuk kanë mbajtur takim të përbashkët.

“Hera e fundit që jemi taku ka qenë pas anulimit të protestës së 26 marsit, një javë pas. Dhe më tutje ka pas tendenca për takime që nuk janë realizu për shkak që VV prêt sqarim të sinqertë nga AAK e NISMA për koketimet”, u shpreh ai.