VV: 70 mijë Euro Doganë për Tekstet e Kthyera

Mbi 100 mijë tekste shkollore në gjuhën shqipe të destinuara për fëmijët shqiptarë në Serbinë Jugore u kthyen dje nga Serbia në Kosovë, pasi qëndruan në një terminal doganor të Preshevës për më shumë se 6 muaj.

Një ditë pas, në konferencën e Lëvizjes “Vetëvendosje” u tha që me këtë akt edhe njëherë u vërtetua që mes Kosovës dhe Serbisë nuk ka reciprocitet.

“Negociatat me Brukselin deri tash nuk kanë pru asgjë të mirë. Nuk kemi të bëjmë me reciprocitet dhe nuk kemi pasur kurrë. Ky është realitet asimetrik mes Kosovës dhe Serbisë,” tha Belgzim Kamberi, anëtari i Kryesisë së “Vetëvendosjes”.

Kamberi deklaroi se mbajtja në terminal doganor të teksteve buxhetit të Kosovës i kushtoi 70 mijë euro.

Deputeti i VV-së Mytaher Haskuka tha se nxënësit shqiptarë në shtetin serb mbetën edhe sivjet pa libra shqip.

“Pas më shumë se gjashtë muaj në dogana, librat shqip u kthyen në Kosovë e nxënësit e luginës edhe këtë vit mbetën pa tekste shqip,” tha Haskuka.

Deputeti Haskuka tha se Serbia ende nuk i pranon diplomat kosovare, ndërsa sipas tij “qeveria nuk i mbron Preshevën, Medvegjën e Bujanovcin”.

Belgzim Kamberi situatën e krijuar me tekstet shkollore të ndaluara në terminal e cilësoi “shkelje të të drejtave të njeriut”.

Në fund ata thanë se Kosova e Lugina e Preshevës dolën të poshtëruara, e Serbia triumfuese. [interaction id=”56d70ee24ab46a0103614064″]