VV-1 Prilli Dita e Mustafës dhe Thaçit

Në ditën e gënjeshtrave në një aksion simbolik VV-ja paraqiti ato që i quajti rrena të Isa Mustafës e Hashim Thaçit.

Pankartat me deklarata nëpër medie të Kryeministrit Mustafa dhe zëvendësit të tij Thaçi “Vetëvendosja” i vendosi para objektit të qeverisë.

Adonis Tahiri, njëri ndër aktivistët tha se qeveritarët e Kosovës në vazhdimësi e kanë shpërfillur qytetarin dhe komunikimi i tyre ka qenë përmes rrenave.

“Këtu janë nëntë rrenat e Hashim Thaçit dhe nëntë nga rrenat më të mëdha të Kryeministrit Isa Mustafa. Dihet që këta te dy kanë ardhur në pushtet përmes rrenave si dhe po e vazhdojnë pushtetin përmes rrenave,” tha Tahiri.

Ai deklaroi se Mustafa e Thaçi bashkë kanë premtuar 320 mijë vende pune, rritje të buxhetit për shëndetësi dhe rritjen e pjesëmarrjeve të grave në qeveri, mirëpo sipas tij asnjëra nga këto nuk ka ndodhur.

“Krejt çka ka bërë këta është instalimi i Gjykatës Speciale dhe themelimi i saj, negociatat e vazhdueshme me Serbinë për akomodimin e interesave të saj në Kosovë si dhe falja e mijërave hektarëve tokë që ia kanë bërë Malit të Zi,” tha Tahiri.

Po ashtu, ai tha se këta të dy po e mbajnë pushtetin e tyre me rrena dhe vazhdojnë të gënjejnë vazhdimisht.

“E kemi parasysh edhe deklarimin e Isa Mustafës dhe Hashim Thaçit se Marrëveshja për ‘Zajednicën’ është marrëveshje në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës, një gjë e tillë u demantua vetë nga Gjykata Kushtetuese, e cila konstatoi se janë shkelur 23 nenet e Kushtetutës me atë marrëveshje,” tha Tahiri.

inan Duli, qytetar nga Prishtina, tha se nga këto gënjeshtra të qeveritarëve qytetarët po e lëshojnë vendin.

“Me këta nuk mundesh me dal tamam, sepse këta rrejnë sa ta hapin gojën. Njerëzia u këputën t’u dal jashtë se nuk ka se çka me hëngër, prej kiametit njerëzit po dalin jashtë,” tha Duli.