Vullnetarët në këndin e socializimit në oborrin e UP-së, Foto: Atdhe Mulla

Vullnetarët e ‘Tokës’ Vendosin Ulëse dhe Kontejnerë në Kampusin e UP-së

Një grup i vullnetarëve nga kampi i organizuar nga OJQ “Toka” kanë ndërtuar dy kënde për socializim në oborrin e kampusit të Universitetit të Prishtinës.

Ata kanë vendosur që të bëjnë dy kënde për socializim në pjesën mes Bibliotekës Kombëtare, Kishës Ortodokse dhe Fakultetit të Arteve për shkak në këtë pjesë sipas tyre nuk ka shumë ulëse e tavolina që studentët të ulen e të punojnë.

Nga kampi i OJQ ‘Toka’ kanë dalë edhe tre grupe të tjera. Njëri prej tyre është duke punuar në parkun e Komunës së Fushë-Kosovës për të rregulluar ulëse të dëmtuara, dy grupe të tjera kanë vendosur që të kontribuojnë në qendrën rekreative në Gërmi.

Biondina Çanta, asistent-mentore e grupit të vullnetarëve të vendosur në oborrin e UP-së ka treguar se në dy këndet për socializim do të vendosen gjashtë kontejnerë, katër ulëse dhe dy tavolina të ndërtuara nga nxënësit prej dërrasave të paletave.

“Brenda një jave i kemi përfunduar të gjitha projektet që normalisht në fillim janë planifikuar dhe janë dizajnuar nga njëri prej anëtarëve të kampit”, ka thënë Çanta.

Ajo ka shtuar se qëllimi i këtij projekti është sjellja e më shumë studentëve në këtë pjesë të kampusit të UP-së, sepse ajo nuk është shumë e frekuentuar dhe ka mungesë të ulëseve.

Në secilën prej shportave të vendosura në këtë pjeës është ngjitur nga një thënie për të vetëdijesuar njerëzit që mos t’i hedhin mbeturinat në tokë.

“Thëniet që shkojnë bashkë me shporta, janë origjinale të vullnetarëve, që vetë i kanë përzgjedhë, vetë i kanë shkru, domethënë nuk janë të huazuara e as nuk janë të përkthyera nga gjuha angleze”, ka theksuar Çanta.

Erdonita Ahmeti, 14 vjeçare nga Prishtina, njëra prej vullnetareve të këtij projekti tregoi se ajo është bërë pjesë e kampit që nga vera e vitit 2017.

“Jam ndier shumë mirë kur e kam ditë që kam me bo gjëra të mira për veten, për komunitetin përreth, por edhe për të tjerët”, është shprehur Ahmeti.

Ajo ka rrëfyer se gjatë kohës së kampit ka kaluar një kohë të mirë me të gjithë vullnetarët e tjerë edhe pse kanë pasur dallime në moshë.

Kjo është gjenerata e dytë e vullnetarëve nga kampi i OJQ ‘Toka’ pasi gjenerata e parë ka dalë në vitin 2016 – 2017.