Vuçiq: Serbia do të Ndjekë Ata që Kidnapuan Gjuriqin

Në fjalimin e tij drejtuar popullit serb, Aleksandar Vuçiq ka paralajmëruar ndjekje penale të atyre që morën pjesë në aksionin për arrestimin e Marko Gjuriqit.

Vuçiq tha se të gjithë policët që kanë marrë pjesë në aksion, sipas tij edhe dy serbë që u kanë ndihmuar shqiptarëve gjatë veprimeve në veri, do të përgjigjen para shtetit të Serbisë.

“Të gjithë që kanë kidnapuar Marko Gjuriqin do të përgjigjen para autoriteteve serbe, edhe dy serbë që u ndihmuan”, tha Vuçiq.

Ai më tutje deklaroi se “terroristët e veshur me uniforma policore” kishin edhe ndihmëbn e EULEX-it,

“Të njëjtit EULEX që nuk i bie ndrmend të hetojë vrasjen e Oliver Ivanoviqit”, tha Vuçiq.

Presidenti i Serbisë reagoi edhe ndaj porosive të ndërkombëtarëve që të dy palët të ulin tensionet. Shtroi pyetjen “se çfarë bëmë ne, kë e rrahëm”.

Ai deklaroi se Gjurqi u rrah e u poshtërua vetëm ngase Prishtinës nuk i pëlqejnë mendimet që ai ka për “këtë shtet terrorist”.

“Rrahën njeriun që është negociatori kryesor me Prishtinën”, tha Vuçiq.

Marko Gjuriq, shef i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, u arrestua sot në Mitrovicën Veriore, pasi hyri në Kosovë edhe pse i ishte ndaluar hyrja.

Gjuriq u soll në Prishtinë dhe pastaj u deportua në Serbi nga Pika Kufitare e Merdarit.