Photo: EPA-EFE / Florian Wieser

Vuçiq: Nuk do t’i mbrojmë vrasësit e vëllezërve Bytyqi

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ditë më parë kishte një takim me senatorët amerikanë në Munih të Gjermanisë, ku këta të fundit kërkuan sqarime nga ana e tij për vrasjen e vëllezërve Bytyqi në vitin 1999.

E në lidhje më këtë, Vuçiq sot tha para medieve serbe se senatorët vetëm po e bëjnë punën e tyre.

Vuçiq po ashtu tha se vrasja e vëllezërve Bytyqi ishte një krim i rëndë dhe se autoritetet serbe janë duke punuar në hetimin e rastit, por se është e nevojshme që të ketë dëshmi për kryerjen.

“Nëse dikush ka prova, ne do të veprojmë. Ne nuk do të mbrojmë këdo që ka kryer krimin. Është përgjegjësia ime t’u përgjigjem njerëzve. Në dy raste ata e përmendën rastin, dhe e pyeta nëse kishin prova – të cilat nuk i mora”, përsëriti ai raporton B92.

Ndryshe, në samitin e Munihut për Siguri, senatorët amerikanë, Eliot Engel, kongresmeni amerikan, Lee Zledin dhe senatori Roger Wrick kanë mbajtur një takim në Munih të Gjermanisë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq në lidhje me ekzekutimin e vëllezërve Bytyqi.

Ata kanë kërkuar nga Vuçiq që të mbajë përgjegjësi për ekzekutimin e vëllezërve shqiptarë, Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyqi që banonin në ShBA.

Në korrik 1999, tre vëllezërit, Ylli, 25 vjeç, Agroni, 23 vjeç dhe Mehmet Bytyqi, 21 vjeç, dolën jashtë territorit të Kosovës dhe u arrestuan kur kaluan aksidentalisht në territorin e kontrolluar nga serbët. Vëllezërit u arrestuan nga autoritetet serbe për hyrje të paligjshme në vend dhe u ekzekutuan brutalisht pak kohë më pas.

https://kallxo.com/kongresmenet-amerikane-flasin-me-vuciqin-per-rastin-e-vrasjes-se-vellezerve-bytyqi/

www.kallxo.com