Vuçiq: Serbia do ta Ruajë ‘Trepçën’

“Do të shikojmë që të investojmë në “Trepçë”, në mihje të reja për të cilat keni nevojë… do të sillemi me “Trepçën” si me të gjitha subjektet tjera ekonomike në Serbinë qendrore”, ka thënë kryeministri serb, Aleksandar Vuçiq, gjatë vizitës bërë serbëve të veriut të Kosovës.

“’Trepça’ është kurrizi i mbijetesës së popullit tonë në veri të Kosovës’, ka thënë ai.

Ky është fjalimi i plotë i kryeministrit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të mbajtur para një numri serbësh të veriut të Kosovës në Leposaviq:

Të nderuar miq, tani po e shoh se sa njerëz janë mbledhur. Ju falmnderit që keni ardhur në këtë mëngjes të hershëm. Para së gjithash, dua t’i përshëndes minatorët e “Trepçës”, të punësuarit në “Trepçë”, si dhe të gjithë qytetarët e veriut të Kosovës.

Në fillim, disa gjëra rreth “Trepçës”. Që nga fillimi i bisedave në Bruksel, ne kemi insistuar që të flasim për pronën, si njëra nga temat më të rëndësishme. Disa i kanë ikur kësaj teme gjatë tërë kohës. Kurrë nuk kanë dashur të pranojnë bisedën si mënyrë e vetme për t’i zgjidhur problemet.

E dini se është zmbrapsur tentimi apo sulmi i parë ndaj “Trepçës”, kur kanë dashur që ta paraqesin si pronë të tyre. Pastaj, gjithmonë duke i respektuar edhe njerëzit e “Trepçës” të cilat kanë dashur të bisedojnë, kemi folur edhe për strategjinë dhe zhvillimin e “Trepçës”.

Asaj që ngapak i druhemi është tentimi i tyre, në të ardhmen, që të miratojnë ligj të veçantë, me të cilin do ta shndërronin “Trepçën” në pronë publike të së ashtuquajturës Republikë e Kosovës.

Ajo që është punë e jona dhe arsyeja pse kam ardhur në “Trepçë” është që të them se ne do të insistojmë në Bruksel, duke mos e ofenduar askënd, duke mos përdorur fjalë të mëdha, sepse në të kaluarën i kemi parë zhvillimet e bazuara nga fjalë të tilla të mëdha. Duam që në mënyrë të qartë t’ua bëjmë me dije se jo vetëm që Serbia nuk do të marrë pjesë, por as që do të lejojë një gjë të tillë.

Këtë flotacion këtu, edhe Cërnacin edhe Bellobërdon, dihet se kush i ka ndërtuar, se kush punon në to.

Pa asnjë dyshim do t’ju kundërvihemi dhe të luftojmë politikisht. Shpresoj që do të ketë mjaft urtësi edhe në Prishtinë edhe në Bruksel, që ta kuptojnë vendosmërinë tonë lidhur me këtë çështje. Dhe ashtu si ju kanë shkaktuar probleme gjatë vitit të kaluar për import të eksplozivit, ashtu si mund t’ju shkaktojnë gjithmonë probleme, shpresoj që ne nuk do të duhet të përgjigjemi në mënyrë të ngjashme.

Mendoj që porosia ime është plotësisht e qartë, por dua që ta thjeshtësoj. Pra, kolektivi më i madh ekonomik në veri të Kosovës është “Trepça”.

Dihet se kush e ka ndërtuar, zhvilluar, krijuar, kush ka punuar dhe kush sot punon. Ne si Qeveri e Serbisë së bashku me udhëheqësinë e “Trepçës” do ta ruajmë “Trepçën”. Do të shikojmë që të investojmë në “Trepçë”, në mihje të reja për të cilat keni nevojë… do të sillemi me “Trepçën” si me të gjitha subjektet tjera ekonomike në Serbinë qendrore.

Jemi në marrëveshje e sipër rreth nevojave financiare për mihjet e reja, jemi duke shqyrtuar nevojat investuese në Kombinatin Metalurgjik në Zveçan si investim shumë më i madh, për fabrikën e baterive të shohim se si e çfarë, dje ose pardje këtu ishte ministri i Ekonomisë.

Republika e Serbisë do të gjejë mënyrë se si t’ju ndihmojë që të mbeteni në vendet tuaja të punës, sepse para së gjithash, është qëllim dhe interes i yni që këtu të mos ketë vetëm shfrytëzues buxhetor.

Unë e di që nëse çmimi i zinkut kthehet, nëse çmimi kalon dy mijë, e sot është 1,750, jam i sigurt që do të mund të fitoni shumë më shumë. Jam i sigurt që pagat do të mund të jenë më të mëdha se sa janë sot. Unë ju falënderoj që i keni zvogëluar shpenzimet dhe që jeni në gjendje që obligimet tuaja t’i paguani me kohë. Kjo është shumë me rëndësi ngase “Trepça” është kurrizi i mbijetesës së popullit tonë në veri të Kosovës. Me aq sa mundet, Qeveria e Serbisë do të ndihmojë jo vetëm për qëndrimin e mbijetesën e punëtorëve në këtë kompani, por edhe në avancimin e “Trepçës” si kompani që të jetë edhe shumë më e suksesshme, që të keni makina më moderne.

Jam i bindur që kjo sjellë dobi jo vetëm për Leposaviqin, Zveçanin e veriun e Kosovës, por kjo i sjellë të mira tërë Serbisë.

Dua t’ju falënderohem për përkushtimin tuaj për ta mbrojtur “Trepçën” tonë dhe që gjithmonë keni dashur vetëm të punoni e që kurrë nuk keni dashur asgjë të huaj. Që të jemi tonët në vendin tonë. Asgjë më tepër nuk kërkojmë. Askënd nuk e kërcënojmë dhe do t’ia dalim që ta fitojmë këtë.

Po ashtu, dua t’ju them se do të marrim pjesë në të gjitha programet tona në Serbinë qendrore dhe që populli ynë në Kosovë nuk do të mbetet anash. Të mos flas për rinovimin e shkollave, spitaleve, ambulancave.

Sot ju them që ashtu si do ta vizitoj secilën shkollë e spital në Serbi, ashtu do ta bëj edhe në Kosovë.

Fëmijët tanë këtu duhet t’i kenë absolutisht kushtet e njëjta sikur fëmijët në Beograd. Nuk mund të kenë fëmijët tanë këtu tualete fushore, e atje të kemi gjendje pakrahasimisht më të mirë. Nuk mund të lejojmë që atje fëmijët të kenë kompjuterë, e këtu të mos kenë as tabela të zeza. Këto janë gjëra të cilat do t’i ndërrojmë dhe dua që edhe ju ta ndjeni përmirësimin e standardit jetësor sikur që do ta bëjmë edhe për të gjithë qytetarët e Serbisë.

Në fund, dua t’ua them një gjë. Unë nuk jam nga ata të cilët flasin fjalë të mëdha, ndoshta ngase mbaj edhe përgjegjësi shumë më të madhe se sa të tjerët, por dua t’ua them se kurrë nuk do ta braktisim popullin tonë në Kosovë, se gjithmonë do të kujdesemi për sigurinë tuaj në çdo mënyrë, ne jemi pjesë e të njëjtit populli, ju jeni pjesë e shtetit tonë dhe nuk do të bëjmë kurrfarë dallimesh.

Por ju lus që ta mbani mend një gjë shumë të rëndësishme, unë e di që shumicës, e di që edhe atyre që mbrëmë kanë hedhur bomba dhe që kanë gjuajtur nga armë automatike duke menduar se do të më frikësojnë dhe të më pengojnë që të vij në Kosovë, dua t’ju them se vetëm një Serbi e fuqishme dhe e fortë mund t’i mbrojë interesat e popullit tonë në Kosovë.

Ju flas me seriozitet dhe përgjegjësi të plotë, ai që nuk është i fuqishëm në këtë botë, ai që nuk ka mjaft miq në këtë botë, ai në asnjë mënyrë nuk mund ta mbrojë popullin serb në Kosovë. Për këtë arsye kemi nevojë për një Serbi të fortë, të fuqishme, të lirë dhe të bashkuar, e jo një Serbi të ndarë e të përçarë.

Për këtë arsye kemi nevojë për ndikim të madh edhe në Bruksel, Berlin, Moskë, Uashington dhe në çdo vend tjetër, sepse vetëm një Serbi e tillë, e fortë mund t’i mbrojë qytetarët dhe interesat e tyre në Kosovë. Ju lus që këtë ta keni parasysh.

Sepse mirë e dini që ato tregime të kota që i flet dikush se kinse do ta kryejnë këtë punë me sëpatë, nuk do të sjellin asgjë të mirë përpos dëme për ju dhe fëmijët tuaj të dashur miq. Unë dua që fëmijët tuaj të jetojnë edhe në Leposaviq, edhe në Leshak… të jetojnë në paqe dhe të mendojnë se si fëmijët e tyre do të punojnë e jetojnë më mirë.

Dua t’ju falënderoj që gjithmonë keni ditur të qëndroni në mburojë të atdheut dhe t’i mbroni interesat tuaja. Që keni ditur ta ndjeni dhe që jeni sjellë me përgjegjësi më të madhe se disa prej nesh. Një falënderim të madh të gjithë juve minatorë të dashur, punëtorë këtu në flotacion, për përkushtimin dhe sakrificën në punën tuaj. Ta dini që Serbia dhe Qeveria e Serbisë është dhe do të jetë gjithmonë pranë jush, që kurrë nuk do të mbeteni të vetëm. Këto nuk janë fjalë të mëdha, këto janë fjalë të thjeshta, normale dhe të pritshme. Një falënderim të madh. Rroftë Serbia. Të nderuar minatorë, me fat!

12:50

Kryeministri serb, Aleksandar Vuçiq, ka nisur sot vizitën në veri të Kosovës.

Në kuadër të kësaj vizite, shefi i Qeverisë serbe ka vizituar kombinatin “Trepça”.

Nga veriu i Kosovës Vuçiq tha se në bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel do të insistojë që autoritetet e Kosovës të mos miratojnë ndonjë ligj përmes së cilit kombinati “Trepça” do të shndërrohej në ndërmarrje publike dhe premtoi se “Trepçën do ta ruajmë”.

Deri në këto momente kryeministri serb ka vizituar Leposaviqin, flotacionin e “Trepçës”, dhe ka paraparë që në ora 13:30 të vizitojë liqenin e Ujmanit, ndërsa në ora 15:00 do të marrë pjesë në një manifestim në qendrën sportive në Zubin Potok.

Për sigurinë e delegacionit serb është duke u përkujdesur Policia e Kosovës dhe vizitën e Aleksandar Vuçiqit në veri të vendit e ka autorizuar Qeveria e Kosovës.

KALLXO.com sjell disa fotografi nga vizita e kryeministrit serb në kombinatin “Trepça” dhe në pjesë të tjera në veri të Kosovës.

vuciq1 vuciq2 vuciq3 vuciq4 vuciq5 vuciq6 vuciq7

http://kallxo.com/shperthim-ne-zubin-potok/