Aleksandar Vuçiq - Foto: REL/AP

Vuçiq e vë në pikëpyetje dialogun edhe nëse hiqet taksa

Zyrtarët më të lartë serbë, presidenti Aleksandar Vuçiq, kryeministrja Ana Bërnabiq dhe shefi i diplomacisë Ivica Daçiq sot janë takuar me shefin e Kishës Ortodokse Serbe, patriarkun Irinej dhe me anëtarët e Sinodi të KOS-it.

Siç raporton RTS ata kanë biseduar më shumë se një orë, “rrezikun që sjell Platforma e Kosovës për dialog me Serbinë”.

Pas takimit, Vuçiq ka thënë se situata në të cilën gjendet Serbia, është e rrezikshme, por siç ka thënë ai populli serb dhe shteti serb nuk do të mbeten në baltë.

“Kemi pasur mendim të njëjtë për problemin dhe për mënyrën se si të reagojmë”, ka thënë patriarku Irinej.

“E kemi sjellë tekstin e Platformës që shqiptarët e Kosovës e kanë miratuar për nevojat e ndërprerjes së dialogut dhe i kemi njoftuar me të gjitha aksionet e Prishtinës dhe për ato që ata kanë bërë- që nga moszbatimi i marrëveshjeve të Brukselit, vënies së taksave dhe të kësaj Platforme e cila ka dëshmuar se sa ata njerëz e duan shkaktimin e krizës dhe jo zgjidhjen e problemeve”, ka thënë Vuçiq.

Sipas tij, “problemi është prezantuar pikë për pikë”.

“Ia kemi arsyetuar patriarkut serb dhe i kemi thënë se ç’rrezik sjell Platforma dhe sa e vështirë është situata në të cilën sot gjendet Serbia “, ka thënë Vuçiqi i cili e ka akuzuar bashkësinë ndërkombëtare pse nuk ka reaguar ndaj Platformës.

“Nuk do ta harrojmë popullin tonë në Kosovë” ka thënë Vuçiqi.

”Nëse këto janë kushtet për bisedime, të mos humbasim kohë. Dialogu me të cilin Serbia duhet ta njohë pavarësinë, të formohet Gjykata që do t’i dënojë serbët, t’ua japim ambasadat tona, pasurinë tonë, trashëgiminë kulturore… Ç’është kështu me ju?”, është shprehur tutje ai.

Ka shtuar se së pari duhet të hiqet taksa e pastaj të shikohet a do të ketë vazhdim dialogu ndërsa ka përfunduar se Kisha do të njoftohet me të gjithë hapat e ardhshëm shtetërorë.

Patriarku Irinej ka thënë se situata është gjithnjë e më e vështirë porse me shumë rëndësi sipas tij, është që Kisha dhe kreu shtetëror për Kosovën janë në anën e njëjtë. /21Media