Vuçiq e Pranon Përfshirjen e Serbëve në Tentim-Puç në Mal të Zi

Ai u shpreh se besonte që shtetasit serbë planifikonin aktivitete ilegale në territorin e Malit të Zi, me ndihmën e një shteti të tretë, të cilit nuk ia përmendi emrin.

“Ne kemi konfiskuar uniforma, para (125 mijë euro) dhe gjëra tjera dhe e kemi informuar Prokurorinë Speciale të Malit të Zi për atë që ne e dimë”, tha Vuçiq në një konferencë për shtyp të hënën në mbrëmje pas një takimi me Zyrën e Koordinimit të Punës së Agjensive të Sigurisë.

Në ditën e zgjedhjeve në Mal të Zi më 16 tetor, një ish komandant i Xhandarmërisë Serbe, Bratislav Dikiq, u arrestua dhe u akuzua për planifikim të puçit në këtë shtet.

Prokurori malazez tha javën e kaluar se ka “dyshime të arsyeshme” që një organizatë kriminale është formuar në Serbi dhe Mal të Zi me një plan për sulm ndaj policisë para ndërtesës së Parlamentit sapo të shpalleshin rezultatet e zgjedhjeve, para se ta merrnin nën kontroll Kuvendin dhe të shpallnin se partia që ata preferonin kishte fituar zgjedhjet.