Aleksandar Vuçiq - Foto: Beta

Vuçiq: Asociacioni Fjalë e Vdekur në Letër

Aleksandar Vuçiq në fjalimin me të cilin u është drejtuar serbëve, ka thënë se Asociacioni i Komunave Serbe ka mbetur fjalë e vdekur në letër.

“Mbetën fjalë të vdekura në letër, ngase që pesë vjet askush nuk deshi që ato të kthehen në vepra”, tha Vuçiq, duke akuzuar edhe BE-në si garantuese të marrëveshjes.

Vuçiq ka deklaruar se në marrëveshjen e 19 prillit 2013 gjashtë nga 15 pikat, ose 40 për qind e marrëveshjes i kushtohen asociacionit.

Presidenti serb tha se shqiptarëve të Kosovës asgjë nuk u është kushtëzuar me krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe.

Vuçiq deklaroi se nuk është dashur të jetë kusht për liberalizimin e vizave për shqiptarët e Kosovës demarkacioni me Malin e Zi, por krijimi i Asociacionit të Komunave Serbe.

Vuçiq tha se duhet të zgjidhet problemi i Kosovës, ngase Serbis,ë sipas tij, po i zvogëlohet numri i banorëve.

Vuçiq deklaroi se Serbia në vitin 2060 pritet t’i ketë 3,9 deri 4,1 milionë banorë dhe nëse vazhdohet me mungesë të lindjeve parashikoi se së shpejti Serbia nuk do të ketë shtet, e as banorë.

Vuçiq krahasoi komunat e Kosovës me ato të Serbisë për nga numri i banorëve. Tha se veriu i Kosovës i ka 42 mijë banorë, ndërsa vetëm Mitrovica e Jugut mbi 60 mijë.

Vuçiq deklaroi se vetëm Komuna e Podujevës ka banorë gati sa krejt Toplica, ndërsa sipas tij Serbia po i humb nga 107 banorë në ditë.

Presidenti i Serbisë foli edhe për dialogun Kosovë- Serbi në Bruksel që do të vazhdojë javën që vjen.

“Nuk pres asgjë, në të gjitha takimet të gjithë presin që ne të bëjmë diçka të madhe për të tjerët”, tha Vuçiq, duke shtuar se askush nuk ka dyshim që ai do t’i mbrojë interesat e vendit të tij.