Vritet një 64 Vjeçare në Han të Elezit

Policia e Rajonit të Ferizajt me anë të një komunikate bën të ditur se vrasja ka ndodhur sot në orën 01:30 në Han të Elezit.

“Viktima F. B. 64 vjeçare ishte qëlluar me armë zjarri nga i dyshuari H. B. 70 vjeçar, përndryshe bashkëshorti i viktimës dhe i njëjti është arrestuar nga policia,” thuhet në komunikatë.

Në vendin e ngjarjes sipas policisë janë gjetur dy gëzhoja dhe është konfiskuar arma me të cilën mendohet se është kryer krimi.

Policia njofton se vrasja ndodhi pas një zënke.

“Sipas deklaratave të dëshmitarëve dhe vetë të dyshuarit, rasti ka ndodhur pas një zënke verbale mes bashkëshortëve,” shpjegon komunikata.

Trupi pajetë i të vrarës është dërguar për autopsi në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ndërsa të dyshuarit për vrasje i është caktuar ndalimi policor prej 48 orësh.