Ambasadori rus, Andrei Karlov (në të djathtë). Foto: Ecenur Çolak/Anadolu Agency

Vritet Ambasadori Rus në Turqi

Ambasadori rus në Turqi, Andrei Karlov, është vrarë sot me armë zjarri në një galeri fotografish në kryeqytetin turk, Ankara, ka konfirmuar Ministria ruse e Punëve të Jashtme, njofton agjencia ruse e lajmeve “RIA Novosti”.

Edhe disa persona janë plagosur në këtë sulm, i cili ka ndodhur një ditë pas protestave në Turqi kundër ndërhyrjes ushtarake të Rusisë në Siri.

Karlov është dërguar në spital për t’u trajtuar por ka vdekur nga plagët e marra.

Sipas televizionit rus, ambasadori po merrte pjesë në një ekspozitë të quajtur “Si e shohin turqit Rusinë“, kur është qëlluar nga prapa teksa po mbante fjalim.

Disa kalimtarë pretendojnë se sulmuesi bërtiti “Aleppo”, kur ai qëlloi ambasadorin Karlov, por këto pretendime nuk mund të konfirmohen.

Sulmuesi u tha të ketë shtënë fillimisht në ambasadorin para se të urdhëronte njerëzit të largohen nga salla. Thuhet po ashtu se ai e qëlloi ambasadorin rus edhe pasi ra në dysheme.

Kryesisht sunite, Turqia ka qenë aktive duke ndihmuar kundërshtarët ushtarakë të regjimit të Assadit në luftën civile të Sirisë. Ndërsa, shumë turq janë të zemëruar në lidhje me ndërhyrjen e Rusisë përkrah regjimit të Damaskut, sidomos rreth rolit të saj për ta ndihmuar qeverinë siriane për të rimarrë pjesë të qytetit të Aleppos që ishin nën kontrollin e rebelëve.