Vrasja në Restorantin “Shega”, Dëshmitarët Nuk e Panë Ngjarjen

Në sallën e mbushur me familjarë të të akuzuarve dhe në një atmosferë tejet të tensionuar janë dëgjuar dëshmitë e dy dëshmitarëve lidhur me vrasjet që kanë ndodhur në restorant “Shega”, në fshatin Milloshevë të Obiliqit, në maj të vitit 2014.

Meqë dy herë me radhë nuk i është përgjigjur ftesës së gjykatës për të dëshmuar, Lutfi Zeqiri, ish-punëtor i restorantit, tha se nuk është paraqitur për të dhënë dëshmi sepse nuk e kishte pranuar një ftesë të tillë.

“Nuk e kam ditur se duhet të vija, nuk kam pranuar ftesën”, ishte përgjigjja e Zeqirit kur u pyet nga kryetari i trupit gjykues se pse nuk kishte ardhur dhe mos ka pasur ndonjë kërcënim kundër tij lidhur me cilësinë e tij si dëshmitar në këtë rast.

Dëshmitari në kohën kur kishte ndodhur kjo ngjarje ishte punëtor i restorantit. Ai përshkroi momentet kritike të ngjarjes ku të vrarë mbetën Naim Gërvalla dhe Lutfi Saraqi, ndërsa të plagosur rëndë mbetën Besim Istrefi dhe i biri i tij Besarti.

“Më kujtohet se Besarti ka folë në telefon me babën e tij dhe i ka thënë: Hajde babë se kemi një problem”, përshkroi momentet pak çaste para se të fillonte përleshja, e cila përfundoi me dy të vrarë.

Më pas dëshmitari tregoi se kishte dëgjuar zhurmë të mbushjes së revoleve, se beson se ishin më shumë se dy revole, ndonëse nuk i kishte parë por vetëm i kishte dëgjuar.

“Unë nga shanku kam hyrë në kuzhinë dhe kam dëgjuar që janë ‘repertiratë’ armët, më tepër se një armë, por unë nuk i kam parë askujt revole”, tha dëshmitari.

Më tej, Lutfi Zeqiri tha se ka dalë në oborr dhe nuk ka parë se çfarë ka ndodhur, ndërsa tregoi se pas ngjarjes kishte vizituar të plagosurin Besim Istrefi në spital.

Pyetje për dëshmitarin pati edhe i akuzuari, Jeton Saraqi, i cili sipas prokurorisë ishte në shoqëri të Lutfi Saraqit e Naim Gërvallës.

“A më keni parë mua sa kam qenë aty të kem sharë, ofenduar ose goditur dikë ?” pyeti i akuzuari.

“Unë nuk e di”, ishte përgjigja e shkurtër e dëshmitarit.

Edhe dëshmitari tjetër që dha dëshminë e tij në gjykatë, Sabit Mengjiqi, në kohën kur ka ndodhur rasti ishte i punësuar në restorant “Shega”.

Dëshmitari tregoi se natën e 2 majit 2014 rreth orës 23: 00 kishin ardhur tre persona me dy vetura, njëra prej të cilave ishte “Mercedes” ndërsa tjetra “Golf”, mirëpo mohoi të ketë parë se çfarë ka ndodhur brenda.

“Unë kam qëndruar në sallën e dasmave, që është afër sallës ku kanë qenë personat. Aty shkova sepse më kishin lëshuar këmbët disi dhe shkova të pushoj, ndërsa pastaj rreth orës 10 në 12:00 kam dëgjuar një zhurmë, që ishte disi si krismë, dhe kam dalë poshtë te parkingu”, tha dëshmitari.

Më tutje, ai tregoi se si tani i ndjeri Naim Gërvalla kishte dalë nga restoranti duke mbajtur dorën nën bel ndërsa kishte parë edhe shenja gjaku.

“Unë kur jam kthyer poshtë e kam parë Njazin (Naimin), që mbante dorën nën bel dhe pash edhe gjak. E pyeta se pse po bërtet dhe pastaj hyra brenda sepse zhurma vazhdonte dhe aty brenda e pash që Besimi ishte në prag të derës i shtrirë ndërsa më tej ishin Lutfiu dhe Besarti, që po ashtu ishin të shtrirë, dhe më afër njëri-tjetrit”, përshkroi tmerrin që kishte parë me sy pasi që hyri në lokal dëshmitari.

Prokuroria Themelore në Prishtinë më 10.3.2015 ka ngritur aktakuzë ndaj Besim e Besart Istrefit për vrasje të rëndë. Besartin prokuroria e ngarkon edhe me veprën penale armëmbajtje pa leje.

Ndërsa Jeton Saraqin prokuroria e akuzon për vrasje të rëndë në tentativë dhe për armëmbajtje pa leje.

Sipas prokurorisë, më 2 maj 2014, rreth orës 23:30, në fshatin Milloshevë të komunës së Obiliqit, në restorant “Shega” ishin vrarë dy persona dhe dy të tjerë kishin mbetur të plagosur.

Të vrarë kishin mbetur Naim Gërvalla nga fshati Raskovë i Obiliqit dhe Lutfi Saraqi nga fshati Bivolak i komunës së Vushtrrisë. Ndërsa të plagosur kishin mbetur pronari i lokalit “Shega”, Besim Istrefi, dhe djali i tij Besart Istrefi.

Konflikti me të shtëna besohet se kishte nisur pas një mosmarrëveshjeje të çastit.

KALLXO.com ka raportuar edhe për seancën e kaluar rreth këtij rasti.

http://kallxo.com/dalin-para-gjykates-te-akuzuarit-per-vrasjet-te-restorant-shega/