Gjykata Themelore në Prishtinë - Foto: KALLXO.com

Vrasja në Mazgit, Dëshmon Eksperti i Armëve

Në gjykimin ku të akuzuar për vrasjen e A. Sekiraqës dhe plagosjen e dy personave të tjerë janë Mustafë e Flamur Krasniqi ka dëshmuar eksperti i armëve Lutfi Raci.

Rasti për të cilin po zhvillohet gjykimi ka ndodhur në Mazgit të Obiliqit në nëntorin e vitit 2012 për shkak të një kontesti pronësor.

Eksperti i balistikës para trupit gjykues ka shpjeguar ekspertizën e tij të përpiluar me shkrim për këtë rast dhe theksoi se qëndron në tërësi pranë kësaj ekspertize.

Më pas, Lutfi Raci u është përgjigjur pyetjeve që iu parashtruan nga palët në këtë proces gjyqësor.

Eksperti Raci tha se ekspertizën e ka bërë në bazë të provave që i janë ofruar. Ai theksoi se çdo armë që e marrin në ekspertim ia bëjnë ekzaminimin dhe e krahasojnë edhe me provat e tjera si dhe a ka lidhje edhe me rastet e tjera të hapura që i kanë.

Pyetjes së parashtruar nga i akuzuari Mustafë Krasniqi se armën që e keni ekzaminuar a keni mundësi me ditë e kujt është, sepse neve na e kanë marrë ADN-në?, dëshmitari tha se “unë nuk e di e kujt ka qenë ajo armë, mirëpo në bazë të gjurmëve të gishtërinjve mund të gjendet se kush e ka përdorur atë”.

I akuzuari e pyeti ekspertin edhe se a mund ta dimë kush e ka përdorë atë armë. Por, Raci tha se nuk ka përgjigje në këtë pyetje. “Nuk mundem të përgjigjem në këtë pyetje”, tha Raci.

Para dhënies së dëshmisë së ekspertit ka dëshmuar edhe Salih Sekiraqa në cilësinë e palës së dëmtuar.

Sekiraqa para trupit gjykues tha se nuk i kujtohet asgjë lidhur me ngjarjen që ka ndodhur ndërsa shtoi se të akuzuarit nuk i ka njohur përveçse Mustafën e ka parë një apo dy herë në shtëpinë e djalit të vëllait të tij.

Gjykimi ka vazhduar me leximin e disa prova materiale, ndërsa trupi gjykues ka vendosur që me datën 7 nëntor së bashku me palët të dalë në vendin e ngjarjes.

Një ditë pasi u vra A.Sekiraqa, Mustafë e Flamur Krasniqi ishin dorëzuar në polici. Nga atëherë ndodhen në paraburgim.

Në janarin e vitit 2014, një pesëmbëdhjetëvjeçar u vra në oborrin e Shkollës Fillore “Emin Duraku” në Prishtinë. I mituri i vrarë ishte nga familja e Mustafë dhe Flamur Krasniqit.

Dy të Arrestuar për Vrasjen në Prishtinë

Kallxo.com ka raportuar edhe më parë rreth rastit ku të akuzuar janë Mustafë e Flamur Krasniqi.

http://kallxo.com/te-akuzuarit-per-vrasje-prape-nuk-duan-te-gjykohen-nga-vendoret/