Ilustrim

Dosja e Prokurorisë: Vrasja në Gjakovë për një shtëpi

Alfred Gjugja, i cili dyshohet se për motive pronësore vrau një person dhe plagosi një tjetër në Marmull të Gjakovës është sjellë i prangosur para Gjykatës pas kërkesës së prokurorisë për caktimin e paraburgimit ndaj tij.

I dyshuari Alfred Gjugja dyshohet të ketë privuar nga jeta T. B. duke lënë të plagosur edhe A. N.

Alfred Gjugja, nuk është deklaruar fare rreth ngjarjes për të cilën ai dyshohet se vrau T. B. dhe plagosi A. N.

Me këto veprime i pandehuri Alfred Gjugja dyshohet se ka kryer veprën penale të vrasjes së rëndë, lëndim të rëndë trupor dhe armëmbajtje pa leje.

Lidhur me këtë rast Prokuroria në seancën e sotme dëgjimore para gjyqtarit Shaqir Zika, kërkoi caktimin e paraburgimit ndaj të dyshuarit Alfred Gjugja, prej një muaji.

Sipas Prokurorisë me datë 12 mars rreth orës 19:00 në fshatin Marmull të Gjakovës, në një incident me armë zjarri mbeti i vrarë personi T. B. 40 vjeçar dhe i plagosur mbeti A. N. 56 vjeçar, për çështje pronësore.

Në kërkesën e Prokurorisë thuhet se Alfred Gjugja afër shtëpisë së A. N. me dashje ka privuar nga jeta T. Bezhin, duke rrezikuar jetën e A. N., Z. K. dhe L. B.

Rasti ka ndodhur për shkak të një mosmarrëveshje pronësore, pasi që T. B. kishte blerë një tokë nga vëllai i të dyshuarit M. Gj. për të cilën tokë nuk ishte pajtuar i pandehuri Alfred Gjugja, thuhet në kërkesën e Prokurorisë.

Kërkesa e Prokurorisë shpjegon se në shtëpinë e A. N. ishin mbledhur tani i ndjeri T. B., Z. K., L. B. dhe P. Gj. për të biseduar rreth kësaj çështje, mirëpo nuk kishin arritur marrëveshje.

Pas kësaj i dyshuari Alfred Gjugja fillimisht e kishte sharë me nënë të ndjerin, më pas me pushkë kishte gjuajtur në veturën e tij, e pastaj edhe në drejtim të viktimës.

Derisa i dëmtuari A. N. pas gjuajtjes me armë në veturë nga i dyshuari, ishte munduar që ta ndaloj të njëjtin duke i dalur përpara, me ç’rast kishte marrë një plumb në këmbën e tij të majtë dhe goditje në kokë nga kondaku i pushkës.

 

Seanca per caktimin e paraburgimit ndaj A. Gj. i dyshuari per vrasjen dhe plagosjen ne Marmull – foto KALLXO – 14.03.2019

Kallxo.com ka raportuar për këtë rast:

https://kallxo.com/i-dyshuari-per-vrasjen-ne-gjakove-mbrohet-ne-heshtje/

.