Vrasja në Dardani: Familjarët e të dyshuarit kishin kërkuar urdhër mbrojtje

KALLXO.com ka mësuar detaje të reja rreth vrasjes së trefishtë që ndodhi dje në një banesë në sheshin “Bill Clinton” të Prishtinës.

Sipas informacioneve të para dyshohet se dorasi H.K, 61 vjeçar ka vrarë gruajn e tij R.K, 60 vjeçare së bashku me gruan e djalit të tij, H.K 28 vjeçare.

“Si duket, deri te vrasja ka ardhur nga problemet e tyre familjare. Mbetet t’i vërtetojmë, por mendojmë që edhe më herët kanë pasur probleme në familje, burri dhe gruaja”, ka deklaruar dje për KALLXO.com Kryeprokurori i Prokurorisë së Prishtinës, Imer Beka.

KALLXO.com ka kontaktuar me Gjykatën e Prishtinës, nga të cilët ka kërkuar informacione lidhur me personin H.K i cili dyshohet se ditën e djeshme qëlloi për vdekje gruan dhe rejën e tij e në fund edhe vetën.

Sipas informacioneve të pranuara nga Gjykata e Prishtinës, mësojmë se ndaj familjarëve të personit H.K, në gusht të 2017-ës ishte lëshuar një urdhër mbrojtje që ndalonte personin H.K ti afrohej gruas dhe fëmijëve të tij në një distancë prej 50 metrave.

“Me datë 14.08.2017 është vendosur nga Gjykata dhe ju është NDALUAR palës përgjegjëse H.K, që mos t’i ofrohet palës së mbrojtur H.K, dhe fëmijëve të saj A.K dhe K.K, në një distancë prej 50 metra në vende publike, në një distancë prej 50 metra nga vendi ku ajo jeton me fëmijët e saj, në një distancë prej 50 metra në vendin ku pala e mbrojtur dhe fëmijët e saj punojnë, si në pikën -II-, të dispozitivit të aktvendimit dhe në pikën -III-, të njëjtit aktvendim i është përcaktuar se urdhri zgjat 12 muaj”, thuhet në përgjigjen e pranuar nga Gjykata e Prishtinës.

Ndërsa pas ankesës së palës përgjegjëse H.K vendimi i Gjykatës së Prishtinës ishte prishur pjesërisht nga Gjykata e Apelit vetëm në raport dy fëmijët.

Pasi që rasti ishte kthyer pjesërisht në rigjykim me propozimin e palës së mbrojtur gruas H.K, kërkesa për urdhër mbrojtje ne raport me fëmijët e palës se mbrojtur ishte konstatuar pjesërisht e tërhequr.

“Gjyqtari i kësaj çështje, në procedurën e rigjykimit lëndën e ka pranuar në punë me datë 22.09.2017 dhe është caktuar seancë me datë 25.09.2017 ku edhe është vendosur për këtë rast, pasi që rasti ishte kthyer pjesërisht në rigjykim dhe me propozimin e palës së mbrojtur është konstatuar pjesërisht e tërhequr kërkesa për urdhër mbrojtje vetëm ne raport me fëmijët e palës se mbrojtur siç edhe vendosur me aktvendimin e kësaj Gjykate C.nr.2448/17 i datës 25.09.2017, pjesa tjetër e aktvendimit C.nr.2006/2017 i datës 14.08.2017  ka mbetur i pa ndryshuar”, thuhet në të dhënat e siguruara nga Gjykata e Prishtinës.

https://kallxo.com/policia-jep-detaje-te-reja-rreth-vrasjes-se-trefishte-ne-prishtine/