Gjykimi per vrasjen e Nuredin Kastratit - FOTO KALLXO - Gjakove

Vrasja e Nuredin Kastratit, dëshmon djali i të akuzuarit Tasim Zhunqi

Ejup Zhuniqi, djali i të akuzuarit Tasim Zhunqi, ka dhënë dëshminë e tij në Gjykatë para kryetarit të trupit gjykues Nikollë Komani, për problemet mes dy familjeve.

Ai tha se për vrasjen kishte dëgjuar nga zyrtarët e Stacionit Policorë.

“Ne kemi pasur disa mosmarraveshje më herët me familjen Kastrati, të cilat probleme kishin kaluar në përleshje e rrahje mes personave të dy familjeve. Të njëjtat marrëveshje kanë përfunduar me raste të hapura në gjykatë”, tha Ejup Zhuniqi.

“Për vrasjen kemi dëgjuar nga policia, të cilët na kanë thënë që i vrarë është Nuredin Kastrati, ndërsa vrasjen e ka kryer Tasimi”, rrëfej Ejupi.

Tasim dhe Nasip Zhuniqi, po akuzohen se kanë privuar nga jeta Nuredin Kastratin.

Pas kësaj, në gjykatë dëshmoi edhe Bardhyl Gashi, dëshmitari okular i vrasjes.

“Gjatë kohës kur kam qenë duke punuar në autolarje, kam parë një ndjeshje të vogël mes dy veturave, njëra e Tasimit dhe tjetra e të ndjerit Nuredin dhe Blerim Kastratit. Pasi kanë dalur nga vetura ata kanë filluar të përleshen, ndërsa ne që kemi qenë afër i kemi ndarë”, tha dëshmitari Bardhyl Gashi.

“I ndjeri Nuredin dhe vëllau i tij Blerimi kanë tentuar të hipin në makinë, e i akuzuari Tasim ka vazhduar duke sharë e ofenduar ata, ndërsa Nasipin nuk e kam parë, e pastaj kam dëgjuar një krismë të madhe pas të cilës e kam humbur vetëdijen dhe pastaj e kam parë të vdekur Nuredinin”, rrëfeu dëshmitari Gashi.

Pasi që kjo çështje është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit, në gjykimin e kaluar pas leximit të aktakuzës nga prokurori Ali Uka, i akuzuari Tasim Zhuniqi e pranoi fajësinë, ndërsa i akuzuari Nasip Zhuniqi sërish u deklarua i pafajshëm. Mirëpo gjyqtari Nikollë Komani bëri refuzimin e pranimit të fajit nga ana e të akuzuarit Tasim Zhuniqi, me arsyetimin se vepra penale është kryer në bashkëkryerje.

Në gjykimin e sotëm ishte prezent edhe dëshmitari Gëzim Zhuniqi, djali i xhaxhait të të akuzuarve.

“Derisa kam qenë duke punuar, Nasipi ka ardhur dhe më ka thënë që Tasimi e ka kryer një vrasje. Kur ka hapur xhamin e makinës ia kam parë një revole dhe të njëjtën ia kam marrë unë me qëllim që ta parandaloj ndonjë të keqe tjetër”, tha dëshmitari Gëzim Zhuniqi.

Në lidhje me dëshminë e dëshmitarit Gëzim Zhuniqi, përfaqësuesi i palës së dëmtuar avokati Miftar Qelaj kishte vërejtje, për arsye se nuk është dëshmitar okular.

Ndërsa në gjykimin e së premtes kishte dëshmuar edhe Blerim Kastrati, vëllai i të ndjerit Nuredin dhe i njëjti kishte thënë që mosmarrveshjet mes tyre kanë qenë të vazhdueshme.

 

 

https://kallxo.com/deshmitari-rrefen-si-ia-vrane-vellane-para-syve/

 

Prokuroria pretendon se Tasim dhe Nasip Zhuniqi, në mars të vitit 2016 në magjistralen Prizren-Gjakovë, në afërsi të varrezave në fshatin Xërxë të komunës së Rahovecit, në bashkëkryerje kanë privuar nga jeta tashmë të ndjerin Nuredin Kastrati nga Prizreni.

Përfaqësuesi i aktakuzës prokurori Ali Uka, dy të akuzuarit po i ngarkon me veprën penale të vrasjes në bashkëkryerje, shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm dhe armëmbajtjes pa leje.

Para se ky rast të kthehet në rigjykim, Gjykata Themelore e Gjakovës me kryetarin e trupit gjykues Shaqir Zika dhe anëtarët Besnik Bislimaj dhe Ilirjana Hoti, kishin shpallur fajtorë të akuzuarit Tasim Zhuniqi me 16 vite burgim,  ndërsa Nasip Zhuniqin me 15 vite burgim.

Mirëpo avokatja Kosovare Kelmendi, e cila e përfaqëson të akuzuarin Nasip Zhuniqi, kishte kërkuar nga Gjykata e Apelit rigjykimin e çështjes ose lirimin nga akuza e të mbrojturit të saj, ndërsa avokatja Myrvete Qollaku kishte kërkuar dënim më të butë për të mbrojturin e saj Tasim Zhuniqi.

Lidhur me aktgjykimin e shkallës së parë, Prokuroria në ankesën e saj drejtuar Gjykatës së Apelit në Prishtinë, i ka propozuar që çështjen ta kthej në rigjykim dhe që ndaj të akuzuarve të shqiptoj dënime më të larta.

Propozimit për dënime më të larta iu kishte bashkangjitur edhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Miftar Qelaj.

Të akuzuarit për veprën penale të armëmbajtjes kishin pranuar fajësinë, e i akuzuari Tasim Zhuniqi, kishte pranuar fajësinë edhe për veprën penale të vrasjes, mirëpo ky pranim i fajësisë ishte refuzuar nga ana e gjykatës.

Pas kësaj, Gjykata e Apelit kishte kthyer në rigjykim procesin e dy të akuzuarve Tasim dhe Nasip Zhuniqi, për veprën e vrasjes në bashkëkryerje, me arsyetimin se shkalla e parë kishte bërë shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale.

Apeli rigjykimin e kishte arsyetuar me faktin se aktgjykimi i shkallës së parë është kundërthënës, sepse në mes të cilësimit të veprës penale nga Prokuroria dhe aktgjykimit të Gjykatës Themelore të Gjakovës, nuk është e qartë a është fjala për një vepër penale të vrasjes në bashkëkryerje apo për disa vepra penale të ndara e jo në bashkëkryerje.

Tutje, ende pa u mbajtur asnjë seancë e çështjes së kthyer në rigjykim, pala e dëmtuar kishtë bërë kërkesë për përjashtimin e gjyqtarit.

Në këtë rast ku Tasim dhe Nasip Zhuniqi nga fshati Fortesë (Bellacerk) e Rahovecit, po akuzohen se kanë privuar nga jeta tani të ndjerin Nuredin Kastrati, pas pranimit të një kërkese për përjashtim të gjyqtarit, seanca e parë e  kthyer në rigjykim kishte dështuar të mbahej.

Mbrojtësi i palës së dëmtuar avokti Miftar Qelaj, kishte parashtruar kërkesë për përjashtimin e kryetarit të trupit gjykues Shaqir Zika, me arsyetimin se gjyqtari Zika ka qenë në presion të palëve në procedurë, pasi që i njëjti ka denoncuar familjarët e të akuzuarve për kanosje.

Ndërsa lidhur me kërkesën për përjashtim të kryetarit të trupit gjykues, mbrojtëset e të akuzuarve avokatet Myrvete Qollaku dhe Kosovare Kelmendi,  lidhur me kërkesën e palës së dëmtuar-familjes Kastrati, kishin thënë se e njëjta kërkesë përmban vetëm prejudikime dhe ka për qëllim zvarritjen e procedurës.

Ndërkaq para kolegjit të Apelit, të përbërë nga Tomka Berishaj, Xhevdet Abazi dhe Afrim Shala, të akuzuarit Tasim dhe Nasip Zhuniqi ishin deklaruar të fajshëm dhe kanë shprehur keqardhje për atë çka ka ndodhur.

Sipas aktakuzës duke u bazuar në disa mosmarrveshje të mëhershme që kishin të akuzuarit dhe i ndjeri, ditën kritike me armë Nasip Zhuniqi qëllon disa herë në drejtim të të ndjerit Nuredin Kastrati, i cili rrëzohet në tokë.

Aktakuza shpjegon se pasi që i ndjeri ishte rrëzuar në tokë nga të shtënat e Nasip Zhuniqit, më pas Tasim Zhuniqi ia merr armën nga dora Nasipit dhe disa herë qëllon në trupin e viktimës duke e lënë të vdekur.